“Roma” gati dy largime për Piatek

TIRANË, 15 tetor/ATSH – A. Fortuzi/ “Roma” është duke ndërtuar një strategji të mirëfilltë transferimesh për të mbërritur tek talenti i “Xhenovas”, Krzystzof Piatek, vlera e të cilit llogaritet rreth 40-50 milionë euro. Sulmuesi, që ka habitur të gjithë Italinë me golat e tij të shumtë këtë fillimsezoni, duket se ka joshur drejtuesit e “Romës” që janë hedhur në sulm për polakun.

Për të mbërritur tek Piatek, “Roma” po mendon të largojë dy futbollistë, Under dhe Patrit Shik. Turku është një nga ata futbollistë që ka shumë treg, ndërsa për çekun nuk mund të thuhet e njëjta gjë, pasi ka pasur disa probleme fizike sezonin e fundit. Për Under në sulm është hedhur gjiganti gjerman “Bajern Mynshen”. Kampionët gjermanë janë gati të ofrojnë deri në 50 milionë euro për Under. Sipas medieve italiane, pikëpyetja që do të lindte nëse ky operacion do të realizohej, do të ishte nëse Piatek dhe Edin Dzeko do të arrinin të merreshin vesh në repartin ofensiv të verdhekuqve, duke parë dhe karakteristikat e afërta, duke rrezikuar t’i “shkelnin këmbët” e njëri-tjetrit. Ky skenar, shkruajnë mediet italiane, i hap horizonte të reja dhe largimit të Dzekos për të mbajtur në ekip Underin, ky i fundit jo i ngjashëm me goleadorin polak. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.