Produktet e fermerëve kosovarë drejt tregut hungarez

PRISHTINË, 15 tetor /ATSH/ – Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, priti në takim ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, Laszlo Markusz ku diskutuan për thellimin e bashkëpunimit në mes të dyja shteteve.

Ministri Shala ka paraqitur prioritetet e MTI-së, duke treguar se përkrahja e prodhuesve vendor dhe joshja e investitorëve të huaj do të jenë në fokus më të madh.

“Me emërimin tim në MTI, planifikoj të rris dinamikën e punës dhe prioriteti im është mbrojtja e konsumatorit, që është në përgjegjësinë e ministrisë që drejtoj, mbrojtja e prodhimit vendor dhe stimulimi i prodhuesve vendorë”, tha Shala.

Ambasadori i Hungarisë, Laszlo Markusz, shprehu gatishmërinë për ta mbështetur Kosovën në fushën e bujqësisë, konkretisht ofroi bashkëpunim që t’iu mundësohet bujqve t’i eksportojnë produktet e Kosovës në Hungari.

Sipas njoftimit të MTI-së, ministri Shala dhe ambasadori Markusz u dakorduan të nënshkruajnë një marrëveshje dyshtetërore, që do t’i shërbejë Kosovës në fushën e mbrojtjes së investimeve të huaja.

Po ashtu gjatë këtij takimi, ambasadori paraqiti para ministrit interesimin e një investitori hungarez, i cili do të hapë në Kosovë një fabrikë për prodhimin e makinerive bujqësore.

Ministri Shala shprehu gatishmërinë që të gjitha kapacitetet shtetërore të jenë në dispozicion të investitorit.

Ministri dhe ambasadori u dakorduan që shumë shpejt të konkretizohen punët dhe të arrihen marrëveshje për produktet bujqësore dhe mbështetja për Kosovën nga Hungaria në mbrojtjen e investimeve të huaja. /KosovaPress//e.malaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.