Përfundon edicioni i tretë i Festivalit Folklorik “Liqenet e Dumresë”

TIRANË, 15 tetor /ATSH/ Nën kujdesin e kryetarit të bashkisë së Belshit, Arif Tafani dhe me mbështetjen financiare të Këshillit të Qarkut Elbasan, u organizua për të tretin vit radhazi Festivali Folklorik “Liqenet e Dumresë”. Në natën e parë në skenën e këtij Festivali u ngjitën grupet folklorike të Gramshit, Tiranës, Ulqinit, Fushë-Arrëzit dhe Belshit, ndërsa në natën e dytë u ngjitën në skenë grupet folklorike të Librazhdit, Korçës, Kaçanikut, Tiranës dhe Belshit. 

Festivalit Folklorit “Liqenet e Dumresë” tashmë është kthyer në traditë që i shtohet ofertës turistike të Belshit. Ky festival është një nga aktivitetet kulkturore dhe artistike që bashkia e Belshit organizon për të promovuar sa më shumë të jetë e mundur zonën e Dumresë.

Ndërkaq koreografi i këtij festivali, Krenar Korça ka vlerësuar pjesëmarrjen masive të grupeve folklorike nga disa qytete të rëndësishme të Shqipërisë, si dhe të grupeve nga Kosova e Maqedonia. Ky festival sipas tij ishte konceptuar në formën e një gare folklorike dhe në mbyllje të tij u shpërndanë çmime për grupet më të mira. Çmimin e Parë juria e këtij Festivali ja akordoi ansamblit “Albania International Dance Academy” nga Tirana, Çmimi i Dytë ju dha ansamblit “Skënderbeu” nga Korça dhe Çmimi i Tretë ju dha ansamblit të Pallatit të Kulturës “Sadi Halili” nga Librazhdi.

Qëllimi kryesor i këtij festivali është pasqyrimi i gjerë i gjinive të folklorit dhe vlerave të tij. Ky festival ka gjithashtu si qëllim të mbrojë, të promovojë dhe të popullarizojë në publikun e gjerë vlerat më të mira muzikore, koreografike, etnografike të krijuara prej shekujsh në hapësirën mbarëshqiptare. Dhe mbi të gjitha për organizatorët ky Festival ka edhe një qëllim madhor, të promovojnë sa më shumë jo vetëm krijimet e reja folklorike të grupeve, por edhe bukuritë e jashtëzakonshme natyrore si dhe resurset për turizëm të zonës së Dumresë. /m.z/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.