Nxitje qeverisë për plotësimin e kërkesave të shoqatës së të verbërve

TIRANË, 15 tetor /ATSH/ – Nxitje qeverisë për plotësimin e kërkesave të Shoqatës së të Verbërve.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti një grup drejtuesish dhe përfaqësuesish të Shoqatës së të Verbërve.

Kryetari i shoqatës Ardian Hysa dhe përfaqësuesit e tjerë i paraqitën Kryetarit të Kuvendit disa kërkesa për zbatimin e legjislacionit shqiptar për mbështetjen e personave më aftësi të kufizuara, si zbatimi i dispozitave të Konventës së OKB-së për aftësinë e kufizuar, plotësimi i disa përfitimeve financiare të prapambetura, zbatimi i legjislacionit shqiptar për ndërtimin, infrastrukturën dhe sinjalistikën në qytete dhe shërbimet speciale për 10 mijë të verbërit.

“Popullariteti dhe ndjeshmëria juaj, – theksoi kryetari i Shoqatës, – janë një mbështetje e madhe për të verbërit dhe personat me aftësi të kufizuara të Shqipërisë”.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, vlerësoi objektivitetin dhe realizmin e kërkesave të Shoqatës së të Verbërve dhe premtoi se do të nxisë Qeverinë të shfrytëzojë të gjitha hapësirat ligjore dhe burimet financiare për plotësimin e kërkesave të tyre.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.