Mesazhe të forta për jetën, rikthehet “Oskari edhe tezja Roze”

132

TIRANË, 15 tetor /ATSH/ – Oskar është vetëm dhjetë vjeç. Por, sëmundja që ai ka, leuçemia, e detyron atë që të jetojë në spital. Askush nuk ka guxim që t’i thotë të vërtetën, as prindërit, edhe as mjekët. Në këto momente shfaqet një grua në dukje e ashpër dhe e drejtpërdrejtë, është tezja Roze.

Këtu nis gjithçka që të ndryshojë, argëtimet për Oskarin janë më të mëdha, një lojë vlen për të dhjetë vjet jetë. Kjo është shfaqja “Oskari edhe tezja Roze” e cila nën regjinë e Kiço Londos solli premierën për publikun në fundjavë në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

“Oskari dhe tezja Roze” pas suksesit gjatë fundjavës vjen sërish në datat 18-19-20-21 tetor ora 19:00 në sallën Moliere.

Shfaqja flet flet për Oskarin, i cili është një djali i vogël dhjetëvjeçar që jeton në spitalin e fëmijëve, sepse vuan nga leuçemia. As mjekët, as prindërit e tij nuk guxojnë t’i thonë të vërtetën mbi sëmundjen e tij. Por ja ku shfaqet tezja Roze, në dukje një grua e ashpër, me karakter shpërthyes, por që fillon të bisedojë me të drejtpërdrejt.

Për ta argëtuar pak Oskarin, Rozeja i propozon një lojë: të sillej sikur çdo ditë e jetës së tij vlente sa për 10 vjet. Në këtë mënyrë ajo i ofron mundësinë të jetojë gjithë jetën për disa ditë. Duke e përshpejtuar jetën e Oskarit, autori do të na bëjë të kuptojmë që nuk jemi të përjetshëm dhe duhet të meritojmë dhe gëzojmë çdo moment të jetës. Tezja Roze i këshillon gjithashtu t’i shkruajë Zotit, për t’u ndier më mirë. Edhe pse nuk beson vërtet në Zot, ai fillon t’i shkruajë letra dhe t’i kërkojë çdo ditë nga një dëshirë të plotësuar. Në letrat për Zotin, Oskarin flet edhe për dhimbjet, për prindërit, për shokët dhe shoqet në spital, për shqetësimet, gëzimet e tij, dashurinë e tij të parë, kohën që kalon…

Në tekstin e shkruar nga Eric-Emmanuel Schmitt përcillet një mesazh i fortë për jetën, se njerëzit nuk janë të përjetshëm, prandaj duhet që të gëzojnë çdo moment të jetës. Ky mesazh do ta shoqërojë publikun në skenën e Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. /a.a/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.