Mbrojtja e fëmijëve nga dhuna, seancë dëgjimore me shoqërinë civile në Kuvend

TIRANË, 15 tetor /ATSH- I. Vata/ Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi një seancë dëgjimore me përfaqësues të shoqërisë civile, për gjetjet e Raportit “Mbrojtja e fëmijëve nga dhuna dhe bulizmi në arsimin publik para universitar në Shqipëri”.

Të ftuar në këtë seancë ishin Altin Hazizaj nga CRCA Children’s Human Right Center of Albania, Mirgit Vataj përfaqësues nga ALO 116 dhe. Linda Pino nga Koalicioni për Arsimin në Shqipëri.

Nënkryetarja e këtij komisionit Milva Ekonomi, ftoi përfaqësuesit e shoqërisë civile të marrin fjalën duke prezantuar problemet, rekomandimet dhe sugjerimet e tyre.

Përfaqësues nga ALO, Vataj në fjalën e tij foli për mungesën e mekanizmave të raportimit të dhunës në shkollë, sa i përket të dhënave të ALO 116 në lidhje me dhunën 2016-2019. Ai u shpreh se nisma e ndërmarrë në vitin 2015 nga Ministria e Arsimit

“Dy janë problematikat që ne kemi evidentuar nga rastet e referuara pranë shërbimit psiko-social të shkollave, na ka rezultuar që profesionistët e shërbimit psiko-social punojnë pak ose shumë pak në drejtim të përgatitjes së prindërve dhe stafeve akademike për tu përballur me fenomenin e dhunës, abuzimit dhe bullizmit. Dhe e dyta është që nuk ka një procedurë të qartë dhe të specifikuar që ndiqet nga psikologët, punonjësit social shkollorë për rastet e dhunës, abuzimit apo bulizmit”, u shpreh Vataj.

Ndersa, Hazizaj përfaqësuesi i CRCA solli në vëmendje mbrojtjen që duhet bërë për fëmijët nga dhuna dhe shfrytëzimi në internet si dhe rolin e shkollave për ndërgjegjësimin e fëmijëve.

Sa më sipër, Hazizaj u shpreh se iniciativa për të bërë një internet të sigurt në shkolla është tepër e domosdoshme dhe se zhvillimi i vrullshëm i teknologjisë në vitet e fundit shoqërohet njëkohësisht edhe me ekspozimin e fëmijëve ndaj risqeve të shfaqura si rrjedhojë e eksplorimit jo të sigurt të fëmijëve në internet.

Më pas, anëtarët e komisioni dhanë sugjerimet, komentet dhe idetë e tyre sa i përket raporteve të prezantuara në këtë seancë dëgjimore, dhe Ekonomi në fund të mbledhjes sugjeroi shtrimin e tryezave të rrumbullakëta me ministritë e Arsimit dhe shoqërisë civile për sa i përket kësaj çështje. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.