Humbja ndaj Izraelit, tkurren shanset e Shqipërisë për të kryesuar grupin

TIRANË, 15 tetor /ATSH/ – Humbja 2-0 ndaj Izraelit në Beer Sheva, ka ndërlikuar shumë mundësitë e Kombëtares shqiptare të futbollit për ta mbyllur Grupin 1 të Ligës C në vendin e parë.

Gjithsesi, ekziston një mundësi matematike, me një përqindje shumë të ulët që të ndodhë, që kuqezinjtë të lënë pas në renditje si Izraelin ashtu edhe Skocinë. Dhe në bazë të këtij skenari, të tri skuadrat duhet ta mbyllin grupin me pikë të barabarta, nga 6. Në këtë rast do të hynte në punë golaverazhi.

Shqipëria duhet patjetër të fitojë me diferencë të thellë golash me Skocinë, 4-0, dhe Skocia të triumfojë 1-0 (2-0 ose 3-0) ndaj Izraelit, që formacioni i Panuçit të kualifikohet për më tej. Në këtë rast, golaverazhi i Shqipërisë do të ishte pozitiv, 5/4, i Izraelit 4/3 (4/4 ose 4/5), dhe i Skocisë 4/6, (5/6 ose 6/6).

Kriteri që do të favorizonte Shqipërinë ndaj Izraelit do të ishte numri i përgjithshëm i golave të shënuar (pikët do të ishin të barabarta me Izraelin, 6, diferenca e golave e njëjtë, +1).

Çdo fitore e Skocisë me diferencë 4 a më shumë gola ndaj Izraelit, do ta bënte të pavlefshëm suksesin hipotetik 4-0 të kuqezinjve ndaj Skocisë. Në këtë rast do të kualifikoheshin skocezët.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.