Drejtoresha e MASR, Linda Pustina tregon arsyet e rënies së numrit të studentëve

TIRANË, 15 tetor/ATSH/ – Drejtoresha e Arsimit të Lartë dhe Shkencës në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Linda Pustina gjatë një interviste televizive foli për ditën e parë të vitit të ri akademik, ku në universitete janë ulur mbi 22 mijë studentë.

Duke e përshkruar ditën e parës si në ditë normale dhe më tepër prezantuese të stafit pedagogjik dhe studentëve, Pustina u ndal edhe te rënia e numrit të studentëve, fenomen të cilin e lidhi me rënien e numrit të lindjeve në rang kombëtar.

“Rënia e kërkesës për degë të caktuar si dhe për universitetet është relative, çka do të thotë se vitet e fundit ka pasur rënie të lindshmërisë, e cila ka ndikuar në uljen e studentëve. Kjo ka ndikuar në arsimin universitar dhe kjo është një nga arsyet bazike për ndryshimet e numrit të studentëve”, – theksoi Pustina.

Një nga arsyet sipas saj për rënien e numrit të studentëve është edhe largimi i tyre jashtë vendit, ku disa prej tyre pas përfundimit të studimeve nuk kthehen më në Shqipëri.

“Ne kemi edhe një interesim të studentëve për të studiuar jashtë vendit dhe ne si MASR kemi vendosur në dispozicion fondin e ekselencës, ku kërkesat janë në rritje.

Si gjithnjë ka kërkesa nga prindërit që t’i dërgojnë fëmijët e tyre jashtë vendit dhe këto janë konstante, ka pak ndryshime. Statistikat që kemi marrë nga EUROSTAT-i nuk janë shumë të sakta, pasi studentët mund të regjistrohen me nënshtetësinë e vendit ku janë, pra mund të regjistrohen me 2 nënshtetësi. Vetëm nga të dhëna jozyrtare të EUROSTAT, janë mbi rreth 25 mijë studentë që studiojnë vetëm në vendet e Europës. Por, ndërkohë vetëm nga Italia na të bëjnë të ditur homologët tanë se janë rreth 25 mijë studentë shqiptarë që studiojnë në të gjitha vitet në Itali, një shifër e konsiderueshme. Shumë prej tyre kthehen në Shqipëri dhe ne në MAS njësojmë 1500 diploma çdo vit të atyre që vijnë në Shqipëri”.

Sipas drejtoreshës Pustina largimi i studentëve jashtë vendit për të studiuar është një diçka e mirë edhe për vendin, pasi ata që kthehen kanë një qasje dhe mentalitet ndryshe. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.