Dansi Kontemporan, 11 trupa shqiptare dhe të huaja në skenë

TIRANË,15 tetor /ATSH/ – Festivali Ndërkombëtar i Dansit Kontemporan ka nisur edicionin e 13 në vendin tonë. Këtë edicionin janë 11 trupa artistësh, shqiptare dhe të huaja që janë pjesë e festivalit. Prej vitesh festivali është parë si unik në llojin e tij për atë që përcjell te publiku, ku edhe këtë vit festivali vjen i drejtuar nga koreografi i njohur Gjergj Prevazi.

Festivali zhvillohet për disa javë me radhë kur në mbrëmje të ndryshme artistët janë në skenën e Tiranës, Durrësit apo dhe Prishtinës.

Janë 11 trupa artistike që vijnë nga Zvicra, Italia, Hungaria, Polonia, Letonia, Kosova e Shqipëria.Festivali Ndërkombëtar i Dansit Modern dhe Kontemporan cilësuar një projekt unik në vendin tonë, përfshin një fushë të rëndësishme të artit.

Në këtë festival mbrëmjen e datës 16 tetor në sallën “Black Box” në Universitetin e Arteve vjen një tjetër artiste e njohur me performancën e saj. Koreografia Simona Perrella sjell performancën e saj “Lumen me lumen”. Në konceptin e saj tregohet se Lumen është njësia e matjes së dritës dhe energjisë së trupit që vendos me qartësi dhe kureshtje për të kaluar limitin e përditshëm që përsëritet.

Festivali i dansit ka nisur në vitin 2006 dhe deri tani në skenat e teatrit të Durrësit dhe Tiranës dhe më gjerë janë përballur artistikisht trupa dhe kompani të teatrit alternativ nga Kosova, Maqedonia, Suedia, SHBA, Franca, Holanda, Turqia, Italia, Kroacia, Shqipëria, Izraeli, Hungaria, Sllovenia, Zvicra, Austria, etj.

Festivali nisi me datë 2 tetor dhe edicioni i këtij viti do të vijojë deri më datë 15 nëntor./a.a//a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.