“Babale 1”, Basha: Hetim Taulant Ballës, t’i hiqet imuniteti

TIRANË, 15 tetor /ATSH- I. Vata/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i cilësoi të pakundërshtueshme, faktet që sipas tij, ekzistojnë për inkriminimin e Taulant Ballës dhe Ardi Veliut në pagimin e një dëshmitari të rremë në çështjen “Babale”. Sipas Bashës, ka fakte që dëshmitari i rremë është paguar për të mbrojtur vëllain e ministrit të Brendshëm.

Basha vuri në dukje se për kryetarin e grupit të Partisë Socialiste, Taulant Balla nuk ka nisur një hetim pavarësisht, tha ai, fakteve.

“Fatkeqësisht deri më tani nuk ka filluar asnjë hetim për Taulant Ballën, nuk ka filluar asnjë hetim për Ardi Veliun, nuk ka filluar asnjë hetim për drejtorin e Policisë së Fierit”, – tha Basha, në një dalje nga selia e Partisë Demokratike.

Po ashtu, kryetari i PD-së Basha akuzoi Prokuroren e Përgjithshme Arta Marku, por atë që e cilësoi mosnisje të hetimit, duke paralajmëruar se “do të mbajë përgjegjësi”.

“Manipulimi i hetimeve dhe moshetimi i krimeve nga Prokuroria janë krime të rënda për të cilat dyshja, Marku-Prela dhe shërbëtorët e tyre në Prokurori do të mbajë përgjegjësi”, – tha Basha.

“Ju bëj thirrje burrave dhe grave me kurajë në Prokurori, që në zbatim të ligjit dhe në kundërshtim të urdhrave kriminalë e të paligjshëm, të nxjerrin menjëherë fletarrestet për Ardi Veliun dhe Drejtorin e Policisë së Fierit, të nisin menjëherë pa humbur kohë procedurën e heqjes së imunitetit dhe marrjes së pandehur të Taulant Ballës, dhe të nisin hetimin për pengim të drejtësisë ndaj Fatmir Xhafës dhe Donika Prelës”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.