Mposhti kancerin e gjirit, rrëfimi i gruas: Nuk e dija që isha kaq e fortë!

Mposhti kancerin e gjirit, rrëfimi i gruas: Nuk e dija që isha kaq e fortë!

Mposhti kancerin e gjirit, rrëfimi i gruas: Nuk e dija që isha kaq e fortë!N.Hoxha është nga Selita e Elbasanit, e ishte vetëm 34 vjeçe kur zbuloi se vuante nga sëmundja e kancerit të gjirit. Ajo kuptoi se diçka nuk shkonte me trupin e saj, në një ditë krejt të zakonshme dhe të rastesishme. Që nga ai moment, gruaja vendosi të shkonte për një konsultë të thjeshtë me mjeken e familjes, nga ku nisi edhe rrugëtimi i saj i vështirë, por kurajoz për të përballuar sëmundjen.http://ata.gov.al/2018/10/14/mposhti-kancerin-e-gjirit-rrefimi-i-gruas-nuk-e-dija-qe-isha-kaq-e-forte/

Posted by Agjencia Telegrafike Shqiptare on E diel, 14 Tetor 2018

TIRANE, 14 tetor/ATSH-Z.Tosku/-Betejat më të vështira në jetë ndonjëherë kthehen në fitore, që i japin jetës një rrjedhë krejt tjetër.

N.Hoxha është nga Selita e Elbasanit, e ishte vetëm 34 vjeçe kur zbuloi se vuante nga sëmundja e kancerit të gjirit. Ajo kuptoi se diçka nuk shkonte me trupin e saj, në një ditë krejt të zakonshme dhe të rastesishme. Që nga ai moment, gruaja vendosi të shkonte për një konsultë të thjeshtë me mjeken e familjes, nga ku nisi edhe rrugëtimi i saj i vështirë, por kurajoz për të përballuar sëmundjen.

Në një rrëfim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, gruaja e dianostikuar me kancer tregon se në momentet e para ndjeu dyshime brenda saj, nëse do t’ia dilte apo jo mbanë me sëmundjen.

“Problemin e zbulova para një viti, nuk kisha mbushur 34 vjeçe. Nuk kisha asnjë lloj shqetësimi fare. Problemin e zbulova  gjatë larjes në dush, pashë që tek gjoksi kisha një kokërr. Gjatë kësaj kohe bëra vizitë  tek doktoresha dhe më tha që duhet të bësh disa analiza e disa eko. Erdha këtu në Tiranë, bëra disa analiza, bëra disa eko dhe një mamografi. Më morën dhe një pjesë materiali për të kontrolluar nëse ishte gjë e keqe apo jo. Pastaj hoqa një pjesë të gjoksit, mora disa kura dhe pasi doli biopsia bëra edhe një ndërhyrje tjetër që e hoqa gjoksin komplet. Brenda muajit unë kam bërë dy operacione. Pasi hoqa gjoksin, pas tre javësh fillova kimioterapinë, bëra 8 seanca. Pra, një në tre javë, i ndoqa këtu në tiranë”, thotë N. Hoxha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

E pyetur se cili ishte mendimi i parë pasi ajo mori vesh se kishte diçka të keqe në trupin e saj, gruaja tha se nuk mendoi por i dha kurajo vetes për ta përballuar sëmundjen.

“Kisha dyshime se nuk do e përballoja dot sëmundjen por ja që e përballova”, thotë ajo.

Ajo tregon se mbështetja e familjarëve, bashkëshortit, të të afërmve ka qënë inkurajuese dhe i ka dhënë më shumë forcë në betejën e saj me sëmundjen.

Nga ana e saj, psikologia pranë Spitalit Onkologjik në Qendren Spitalore Universitare, Irsida Lalaj që ka ndjekur edhe rastin në fjalë, shpjegon se kjo grua bën pjesë tek pacientet e forta që e kanë përballuar sëmundjen me shumë kurajo.

“Në rastin e pacientes në fjalë, ajo është një paciente e fortë e guximtare dhe nuk është nga ato paciente që dorëzohet lehtë dhe e ka përballuar me sukses. Mbështetja morale është pikë kyçe për një grua që vuan nga sëmundja e kancerit”, thotë Lalaj.

Pas këtij rrëfimi, gruaja e diagnostikuar me kancer gjiri nuk mund të mos japë një mesazh për të gjitha gratë.

“Unë i bëj apel të gjitha grave që të bëjnë eko, të bëjnë mamografi dhe ta mposhtin sëmundjen. Të mos lejojnë të mposhten. Unë u them që të bëheni të forta”.  z.t/a.f

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.