“Babale1”, PD ka pesë pyetje për prokurorët e Krimeve të Rënda

TIRANË, 14 tetor /ATSH/ – Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj publikoi nga selia e partisë Demokratike disa dokumente të Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat sipas tij, provojnë se historia e Fredi Alizotit ështe sajesë.

Sipas Alibeajt, askush nuk mund të fshihet më përballë fakteve, “që kanë fabrikuar prova e sajuar dëshmitarë për të mbrojtur vëllain trafikant droge të ministrit të Brendshëm nga burgu”.

Alibeaj akuzoi edhe  prokurorinë e krimeve te rënda se ka bërë zgjedhjen e vet antiligjore, duke bashkëpunuar në një akt mafioz për të shantazhuar gazetarët, qytetarët dhe opozitën, në përpjekjen e dëshpëruar për t’i mbyllur gojën denoncuesit.

Partia Demokratike, përmes Alibeajt ngre pesë pyetje.
• Çfarë “pako” ka marrë Fredi Alizoti? Kush ia ka dhënë atë?
• Kush është Taulanti nga Librazhdi që i ka thënë Fredi Alizotit “hap gojën sa do”?
• Çfarë shërbimi ka ofruar Fredi Alizoti dhe sa është paguar për këtë?
• Pse e ka telefonuar përsëri në datën 7 Qershor 2018 Drejtori i Policisë së Qarkut Fier shtetasin Fredi Alizoti?
• Cili është “shefi i madh” i Drejtorit të Policisë së Qarkut Fier që kërkon të takojë Fredi Alizoti? /j.p/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.