Vetingu në politikë, Kuvendi seancë dëgjimore me shoqërinë civile

141

TIRANË, 12 tetor /ATSH- I. Vata/ – Këshilli për Legjislacionin dhe Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut organizoi sot seancë dëgjimore me përfaqësuesit e shoqërisë civile për Vetingun në politikë.

Kryetari i kuvendit Gramoz Ruçi u shpreh se kemi njoftuar disa nga organizatat e shoqërisë civile për të zhvilluar një seancë dëgjimore për konsultimin e nismës ligjore të grupit parlamentar të Partisë Demokratike dhe grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8417, datë 21.10.1998, “Kushtetuta e  Republikës së Shqipërisë”.

Në fjalën e tij, deputeti i PD-së Enkelejd Alibeaj e ka konsideruar një farsë mbledhjen e sotme të përbashkët të Këshillit për Legjislacionin dhe Komisionit për Çështjet Ligjore.

“Iniciativa jonë për Vettingun në politikë është një iniciativë që ka vetëm një lloj zgjidhje të klasës politike, pranohet ose jo, përballet ose hidhet në kosh. Ajo që ndodhi në seancën e parë ishte qëndrimi i mazhorancës që me gojën e kryeministrit u shpreh publikisht që nuk e pranon Vetingun në politikë, as në përmbajtje, as në frymë. Është një teatër që po zhvillon Komisioni i Ligjeve për t’i hedhur hi syve të publikut. Mohimi total i kësaj kërkese emergjente duke na ftuar këtu, është teatër. Ju s’duhet të lejoni veten tuaj të përdoreni për fasadë për qëllime politike”, tha Alibeaj.

Pas disa replikave me kryetarin e Kuvendit, i cili kërkoi hapësirë për pyetjet e shoqërisë civile pjesëmarrëse në takim, deputeti i PD-së Enkelejd Alibeaj braktisi seancën dëgjimore për ligjin e Vetingut në politikë. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.