Trafikuan 10 tonë kanabis, përfundon hetimi për 24 doganierët dhe trafikantin në Durrës

TIRANË, 12 tetor/ATSH/ – Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë ka përfunduar çështjen penale në 12/2 të vitit 2017 në ngarkim të të pandehurve Florenc Treza i akuzuar për veprën penale “Trafikim i Lëndëve Narkotike” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 283/a/2 i Kodit Penal.

Prokuroria i ka dhënë fund hetimeve për 24 policë e doganierë, të cilët kaluan kamionin me 8 ton drogë 1 vit më parë nga Porti i Durrësit. Droga e cila mendohej se kishte një vlerë prej  80 mln euro është sekuestruar nga Policia e Napolit në një operacion të mirëstrukturuar.

Lirim Halili, Syrja Terziu, Çlirim Papa, Ervin Kodra, Iliras Maja, Ymer Blloshmi, Ilir Spahiu, Maliq Kadilli, Kastriot Topalli, Vladimir Ziu, Elis Deliu, Ylli Vogli, Erald Kulla, Edmond Luzi, Agron Kapllani, Gëzim Dervishi, Roland Metani, Gentian Selmani, Mehdi Demiri, Mexhit Xhixha, Nezir Bardhoshi, Julian Doraci, Fatmir Plaku dhe Behar Sula (punonjës doganorë të doganave Qafë-Thanë, Vlorë, Durrës si dhe punonjës të policisë kufitare të Pikës së Kalimit Kufitar Qafë-Thanë dhe pranë Portit Durrës), të akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës në bashkëpunim” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Objekti i hetimit të kësaj çështje penale është fakti i trafikimit të lëndës narkotike nga Porti i Durrësit për në Portin e Ankonës, Itali, në dy episode, datë 05.02.2017, trafikim i sasisë së lëndës narkotike cannabis sativa prej 8193 (tetëmijë e njëqind e nëntëdhjetë e tre) kg; episodi i dytë i trafikimit, datë 19.03.2017 trafikimi i sasisë së lëndës narkotike cannabis sativa prej 2270 (dy mijë e dyqind e shtatëdhjetë) kg.

Hetimet do të vazhdojnë për personat e dyshuar si anëtarë të këtij grupi kriminal.

/m.z/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.