Tirana, epiqendër e 729 fermerëve e sipërmarrësve në panairin “Shqipëria punon tokën”

146

MIRËMËNGJES 😃dhe me këtë ftesë për të mos humbur edicionin e dytë të Panairit “Shqipëria Punon Tokën”, sot dhe nesër në sheshin Nënë Tereza, ku mund të shihen e shijohen produktet më të mira shqiptare të rreth 800 fermerëve e sipërmarrësve nga i tërë vendi, ju uroj një ditë të mbarë 👩🏻‍🌾🌾🍎

Posted by Edi Rama on E enjte, 11 Tetor 2018

 

TIRANE, 12 tetor/ATSH/- Sheshi “Nënë Tereza” do të kthehet sot dhe nesër në një kryeqendër të promovimeve të produkteve shqiptare në panairin më të madh të bujqësisë në vend: “Shqipëria punon tokën”.

 

Kryeministri Edi Rama fton të gjithë që të bëhen pjesë e këtij panairi për të parë dhe shijuar produktet më të mira shqiptare.

 

“MIRËMËNGJES, dhe me këtë ftesë për të mos humbur edicionin e dytë të Panairit “Shqipëria Punon Tokën” që do të mbahet sot dhe nesër në sheshin Nënë Tereza, ku do të mund të shihni e shijoni produktet më të mira shqiptare të më shumë se 729 fermerëve e sipërmarrësve nga i tërë vendi, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

 

Edicioni i dytë i këtij panairi organizohet nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë si dhe Shoqata e Industrialistëve Ushqimorë me mbështetjen e bashkisë së Tiranës.

 

Ky është panairi më i madh bujqësor dhe blegtoral, i cili do të sjellë aromën e prodhimit autokton shqiptar dhe më të mirën e industrisë së përpunimit ushqimor në vend.

Në këtë edicion do të jenë pjesëmarrës rreth 659 fermerë nga e gjithë Shqipëria, 70 sipërmarrje ushqimore dhe 39 bashki.

Hapësira ekspozuese prej 23400 m2 në zemër të Tiranës do të kthehet në arenën më të madhe ekspozuese të produktit, traditës, muzikës dhe kulinarisë shqiptare, ku mjeshtrat e kuzhinës dhe restorantet, do të ofrojnë mundësinë e degustimit të recetave më të spikatura. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.