Teqeja e Kaninës, monument kulture me rëndësi historike

52

TIRANË, 12 tetor/ATSH/- Kanina, 3 km larg qytetit bregdetar të Vlorës, e njohur për bukurinë e saj të rrallë, ruan një sërë monumentesh kulturore.

Gërmimet arkeologjike e dëshmojnë si vendbanim që në gjysmën e parë të mijëvjeçarit të fundit p.e.s. Në shek. IV p.e.s. u shndërrua në qytet të fortifikuar me mure. Brenda kështjellës së Kaninës janë zbuluar rrënoja banesash, rrugë me kalldrëm, sterra uji etj.

Sot Kanina përmban rreth 253 objekte. Përveç kalasë, ndodhen aty edhe 3 objekte monument kulture të kategorisë së parë: Teqeja e Kaninës, banesa e Shefikat Begajt dhe banesa e Kujtim Hamzait.

Teqeja e Kaninës apo Teqeja e Haxhi Bektash Veliut, ndodhet në qendrën e fshatit. Ndërtimi i saj lidhet me emrin e kryeadmiralit të flotës turke, Sinan Pashës, që u vendos në Vlorë dhe Kaninë në fillimet e shek. XVI, pasardhësit e tij janë pinjollët e familjes së famshme të Vlorajve.

I pari që e përmend këtë fakt është udhëtari turk Evlija Çelebi, që vizitoi Kaninën në mesin e shek. XVII. Sipas tij, ”Teqeja e Haxhi Bektash Veliut, është me emër në mbarë Turqinë, Arabinë dhe Persinë.

Pranë teqesë është varrosur bamirësi dhurues i saj Gazi Sinan Pasha, së bashku me njerëzit e familjes dhe shpurës së tij”. Albanologu John Georg Von Hahn, aty nga viti 1848, shkruan se varri i Sinan Pashës ndodhet pranë kësaj teqeje dhe është objekt pelegrinazhi i besimtarëve nga vise të ndryshme të Turqisë.

Tyrbja e hershme e Sinan Pashës, e ngritur në fillim të shek. XVI pranë teqesë, tashmë nuk ekziston. Të dhëna me rëndësi për tyrben, teqenë dhe një skicë për të, gjenden në studimin e Eqerem bej Vlorës për Kalanë e Kaninës. Në këtë teqe u varros dhe kryeministri i fundit i Perandorisë Osmane, Ferid Pashë Vlora.

Edhe Ismail Qemali, pas vdekjes së tij në rrethana të mistershme në Peruxhia të Italisë, u varros fillimisht në këtë vendvarrim dhe rreth vitit 1932, u vendos që eshtrat e tij të prehen në vendin ku ishte ngritur flamuri në qendër të Vlorës, ku dikur ngriheshin sarajet e familjes së tij. Ky objekt ka rëndësi historike pasi ka shërbyer si varrezë e personaliteteve të familjes Vlora.

Në vitin 2014 pranë Teqesë u varrosën eshtrat e Eqerem Bej Vlorës. Teqeja e Kaninës u shpall Monument Kulture i kategorisë së parë me vendim nr. 688, datë. 24. 01. 2006. /k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.