Tentativë për të futur në burg celularë përmes një topi futbolli

74

TIRANË, 12 tetor/ATSH- A. Fortuzi/- Tentohen mënyra të reja për të futur celularë në burgje. Një rast i çuditshëm është zbuluar dhe parandaluar së fundmi në ambientet e IEPV së Lezhës.

Gjatë orës së ajrimit të të burgosurve është hedhur nga jashtë një top futbolli i fryrë. Topi është konstatuar nga punonjësit e shërbimit të cilët e kanë bllokuar menjëherë. Janë bërë verifikimet e nevojshme dhe janë kontrolluar kamerat e sigurisë.

Brenda topit janë gjetur tre celularë, dy Iphone dhe një Samsung, bashkë me karikuesit dhe dy karta celulari të pahapura.

Drejtoria e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve po kryen të gjitha hetimet e nevojshme për rastin në fjalë, për të identifikuar përgjegjësit.

Muajt e fundit Ministria e Drejtësisë ka njoftuar një sërë masash për rritjen e sigurisë së brendshme në burgje. Ndërkohe që Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm kanë nisur prej disa javësh kontrollet blic në të gjitha burgjet e vendit, me qëllim parandalimin e hyrjes së mjeteve dhe sendeve të kundra-ligjshme në ambientet e brendshme të IEPV-ve. Në aksionin e zhvilluar në rang vendi pak javë më parë u sekuestruan 17 telefona celular, 6 karta sim dhe 9 aksesorë të tjerë telefonash celularë;135 doza lëndë narkotike e dyshuar kanabis sativa; 27 mjete prerëse të improvizuara nga të burgosurit.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm janë të vendosur të vijojnë aksionet për të parandaluar raste si ky i ndodhur në IEPV e Lezhës. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.