Skema “urë”- OSHEE, kontrolle abonentëve për vjedhje të energjisë

99

TIRANË, 12 tetor /ATSH/- Skema më e përdorur është manipulimi i matësit përmes sistemit “urë”, pra kalimi i telit blu (shih fotot) në pozicion të tillë që matësi të regjistrojë 80% më pak konsum.

Gjatë kontrolleve në javën parë të tetorit u zbuluan 11 raste. Bie në sy fakti se vjedhja e energjisë elektrike ka ndodhur në objekte që ndodhen në qendër të Tiranës (“Rruga e Elbasanit”, ish-Blloku, “21 Dhjetori”, etj.)
Mes të proceduarve është një subjekt privat (furrë buke), i cili kishte manipuluar matësin.

“Kontrollet vijojnë normalisht dhe nuk tolerojmë askënd. I bëjmë apel abonentëve të zgjedhin rrugën ligjore, pagesën e faturave (në pamundësi, skemat me këste), dhe jo të abuzojnë”, tha Klevis Jahaj, drejtor i Drejtorisë Rajonale OSHEE Tiranë.

Në zbatim të nenit 137 të Kodit Penal ndëshkohen ata persona që:
Vjedhin energjinë elektrike dhe dëmtojnë matësin. “Çdo ndërhyrje tjetër e paligjshme dhe e paautorizuar në sistemin e matjes apo në rrjetin elektrik me qëllim përfitimi të paligjshëm, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim deri në tre vjet”, thuhet në nenin 137.

/e.xh/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.