“Shqipëria punon tokën”, vit i mbarë për agropërpunimin dhe peshkimin

132

TIRANË, 12 tetor /ATSH/ – Mbi 700 fermerë dhe sipërmarrës janë bërë pjesë e panairit më të madh të bujqësisë “Shqipëria punon tokën”, për promovimin e produkteve shqiptare.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi, e konsideroi panairin një ngjarje të rëndësishme për bujqësinë dhe agropërpunimin.

Gjatë vizitës në këtë panair, i shoqëruar edhe nga Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca dhe kreu i grupit parlamentar të PS Taulant Balla, Peleshi theksoi se “synimi ynë është që të rrisim të ardhurat për familjet fermere, megjithëse e njohim dobësinë për sipërfaqen e vogël që kanë në dispozicion fermerët shqiptarë, është ta zgjidhim këtë problem”.

Ministri bëri të ditur se fokusi i këtij viti është në dy drejtime të reja, në agroturizëm dhe promovim e marketim më të mirë të produkteve tipike tradicionale. “Qeveria është munduar që programi i 100 fshatrave i cili marketon më së miri këto dy ide, ta vendosë në qendër të këtij panairi”.

Gjithashtu “kemi improvizuar një fshat tipik pjesë e ‘100 fshatrave’ ku mund të gjejmë, produktet tipike dhe frymën e agroturizmit, dy burime që do të çojnë tregun aty ku mungon”. “Do të krijohen të ardhura të reja për familjet në fshat”, – tha ministri.

Peleshi shtoi se “pjesëmarrja në këtë panair është më e madhe se vitin e shkuar, janë rreth 600 fermerë. Ky është një vit i mbarë i bujqësisë së agropërpunimit dhe peshkimit. Agropërpunimi, – tha ministri, – është ai sektor që na gëzon më shumë, pasi rritja me 18 % në 6-mujorin e parë tregon se bujqësia shqiptare sot jo vetëm po konkurron me sukses, por dhe po rrit eksportet, po furnizon edhe agropërpunimin. Kjo është vlera e shtuar, rrit të ardhurat dhe punësimin”, – tha ai.

Në fund, Peleshi tha se ‘dy kampionët ngelen peshkimi dhe bimët medicinale. “Peshku i përpunuar ka një rritje spektakolare këtë vit, prej 55% në eksporte, ndërsa bimët medicinale, 1 me 33 pra eksportojmë 33 herë më shumë se sa importojmë. Vazhdojmë të mbajmë rreth 70 % të tregut të Amerikës për sherebelën”, tha Peleshi. Ministri i Bujqësisë sqaroi se “tashme nuk eksportojmë vetëm bimët medicinale në gjendjen e lëndës së parë, por edhe të përpunuara, çka do të thotë një vlerë të shtuar”.

Ministri i Bujqësisë shprehu kënaqësinë që në këtë ditë të dytë të panairit “Shqipëria punon tokën”, shoqërohej nga ambasadori i Bashkimit Europian dhe kryetari i grupit parlamentar të PS.

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, tha se është shumë i lumtur që ndodhet në Tiranë në këtë ditë kaq të bukur dhe theksoi se agrikultura është shumë e rëndësishme për ekonominë e një vendi. /o.l/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.