SERBI – Vuçiç: Ndonjëherë është më mirë të heshtësh

167

KRALJEVO, 12 tetor /ATSH-TANJUG/ – Duke komentuar një deklaratë të anëtarit më të ri të presidencës boshnjake, Zheljko Komshiç, sipas së cilës ai e konsideronte Kosovën të pavarur, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç theksoi dje se ndonjëherë është më mirë të heshtësh dhe se ai kërkonte që marrëdhëniet me Bosnje-Hercegovinën të ndërtoheshin në një mënyrë të përgjegjshme.

“Serbia kërkon bashkëpunim të mirë me Bosnjen dhe me tre anëtarët e rinj të presidencës, Milorad Dodik, Shefik Xhaferoviç dhe Zheljko Komshiç”, tha Vuçiç për gazetarët.

Duke bërë të ditur se ai nuk kërkonte të shfrytëzonte mundësitë për të fituar pikë politike apo për t’iu përgjigjur pretendimeve të çdokujt, Vuçiç tha se nuk ishte i gëzuar për një deklaratë të tillë.

“Unë kërkoj që vendosja e marrëdhënieve me rajonin dhe me Bosnjen të bëhet në një mënyrë të përgjegjshme. Ndonjëherë është më mirë të heshtësh, pasi kjo e dëmton më pak të ardhmen”, theksoi Vuçiç./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.