Rritje e mbrojtjes së të dhënave personale në sistemin shëndetësor

TIRANË, 12 tetor /ATSH/ – Besnik Dervishi, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale deklaroi se sistemi i shëndetësisë është një nga fushat më të rëndësishme për sa i përket mbrojtjes se te dhënave personale për numrin e madh të përpunimit të tyre por edhe natyrën sensitive të këtyre të dhënave.

Dervishi theksoi se zyra e komisionerit e ka në vëmendje këtë sektor duke nxitur investimin në burime njerzore të kualifikuara dhe në sisteme që garantojnë sigurinë e të dhënave personale.

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në bashkëpunim me Prezencën e OSBE në Shqipëri, organizuan aktivitetin me temë “Rregullat në lidhje me mbrojtjen e të dhënave personale në sistemin e kujdesit shëndetësor”.

Pjesëmarrës në këtë takim ishin përfaqësues nga institucionet publike dhe subjektet  private që ushtrojnë veprimtarinë në sektorin e shëndetësisë.

Besnik Dervishi, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale theksoi domosdoshmërinë që ka procesi i ndërgjegjësimit të qytetarëve, e nga ana tjetër, funksionimin e një mekanizmi të qëndrueshëm garancish nga operatorët e sistemit.

Bardhylka Kospiri, zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, tha se bashkëpunimi me Zyrën e Komisionerit është i vazhdueshëm për ta përmirësuar gjithnjë e më shumë sistemin. Ndërsa Emir Kamenica, tha se Prezenca e OSBE do të mbështesë nisma të kësaj natyre për garantimin e të drejtave të njeriut.

Fatmir Brahimaj, President i Urdhrit të Mjekëve e vlerësoi si në momentin dhe tematikën e duhur në këtë takim.

Pjerina  Gaxha, Drejtori  i Drejtorisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, mbajti një prezantim për të pranishmit, ku i njohu me ligjin “për mbrojtjen e të dhënave personale”, me aktet nënligjore të fushës, si dhe trajtimin e rasteve konkrete. Në këtë trajnim i ftuar ishte eksperti i njohur ndërkombëtar i fushës, Angelo Trapana, President i Unionit Kombëtar të Organizmave të Akredituar në Romë. Nëpërmjet eksperiencës italiane dhe më gjerë, prezantimi i tij trajtoi procesin e certifikimit të institucioneve/kontrolluesve   të  sistemit shëndetësor. o/l/.j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.