QKB përgjysmon kohën për autorizimet e kërkuara nga biznesi

87

TIRANË, 12 tetor /ATSH/- Përgjysmohet koha që i duhet Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB) për të marrë një vendim lidhur me një licencë apo autorizim që është kërkuar nga biznesi pranë saj.

Projektligji i ri që përgatitur Ministria e Financave citon se, koha e vendim-marrjes që i duhet QKB-së do të jetë sipas grupit që i përket licenca apo autorizimi.

Kështu Financat sqarojnë se ulja e kohës së vendimmarrjes për licencat/autorizimet e grupit të parë bëhet nga 2 ditë në vetëm 1 ditë. Sipas ligjit në grupin e parë përfshihen ato kategori ose nënkategori, lejesh, licencash dhe autorizimesh për të cilat vlerësimi i përmbushjes së kritereve bazohet vetëm në vetëdeklarimet e kërkuesit.

Për grupin e dytë koha e vendimmarrjes ulet nga katër ditë në vetëm dy ditë. Në këtë grup sot ligji parashikon ato kategori ose nënkategori licencash apo autorizimesh, për të cilat vlerësimi i përmbushjes së kritereve, përveçse në vetëdeklarimet e kërkuesit, bazohet, për të paktën njërin nga kushtet, edhe në dokumentet provuese, të paraqitura nga kërkuesi.

Për grupin e tretë të licencave lejeve dhe autorizimeve projektligji i Financave parashikon kufizim të rolit të QKB-së në procedurën paraprake duke e ndalur këtë vetëm tek  verifikimi, nëse aplikimi është i plotë apo ka nevojë për plotësim, kurse koha e vendimmarrjes paraprake bëhet nga 4 në vetëm 2 ditë.

Sot ligji për autorizimet, lejet apo licencat e grupit të tretë përveçse nënvizon kërkesat që kanë dy grupet e tjera shton edhe vlerësimin e përmbushjes së kritereve në kryerjen e një procesi inspektimi, testimi, gare, interviste, dëgjimi apo metode tjetër vlerësimi.

I njëjti draft i nxjerrë për konsultim parashikon një procedure për të trajtuar kërkesat me pasaktësi (të paplota) në përputhje me Kodin e ri të Procedurave Administrative si dhe detyron institucionet e përfshira në procesin e licencimit të sigurojnë informimin dhe ndihmën aktive të të interesuarve drejtpërdrejt në mjediset e tyre dhe me mjete të komunikimit ne distance.

“Synimi i projekt-ligjit është lehtësimi i mëtejshëm i të bërit biznes nëpërmjet thjeshtëzimit dhe lehtësimit të mëtejshëm të procedurave të trajtimit të licencave, lejeve dhe autorizimeve nga QKB (me këto elementë: a) thjeshtimin e procedurës së shqyrtimit dhe vendimmarrjes nga QKB; b) shkurtimin kohës së vendimmarrjes dhe c) lehtësuar në kohë dhe kosto procesin e aplikimit), si dhe sigurimi i përputhshmërisë me Kodin e ri të Procedurave Administrative (ligji nr. 44/2015)” thuhet në relacion. e.xh/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.