Projekti Nivica dokumentohet nga “National Geographic Explorer”

761

TIRANË, 12 Tetor / ATSH /  – Një ekip i National Geographic Explorer ka përzgjedhur Projektin Nivica si pjesë e serive dokumentare të këtij televizioni, të titulluar “Vende që Frymëzojnë”.

Ekipi po xhiron në malësitë e thella të Kurveleshit për të dokumentuar jo vetëm jetën dhe natyrën e kësaj zone të panjohur por edhe përpjekjet që po bëhen për të krijuar një model turizmi të bazuar në mbrojtjen e natyrës dhe vlerave historike.

Seria e dokumentarëve “Vende që frymëzojnë” është një cikël dedikuar projekteve që ndryshojnë jetën e njerëzve dhe vendeve ku ndodhin ato. Nga Kina në Japoni, Peru apo Kosta Rika në malet e Himalajave dhe tani në zonën e Kurveleshit, “National Geographic” është një prej medieve më të njohura në botë e cila ka filluar një projekt ndërkombëtar për të mbështetur vende, njerëz apo projekte të ndryshme që kërkojnë të krijojnë një filozofi turizmi mjaft të ndryshëm nga turizmi masiv apo turizmi që nuk respekton natyrën dhe historinë.

Për këtë arsye Projekti Nivica i cili ka filluar në Jugun e Shqipërisë dhe kërkon të ndërtojë një model unik turistik duke lidhur zona bregdetare me ato malore është përzgjedhur nga “National Geographic Explorer” si një model për t’u mbështetur dhe promovuar. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.