Pastrohen stacionet e pompimit në Vlorë – Leli apel qytetarëve për ndërgjegjësim

TIRANË, 12 tetor/ATSH/ – Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve Vlorë po vijon me ritme të larta pastrimin e stacioneve të pompimit, për të përballuar stinën me reshje.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, i shoqëruar nga kreu i Ujësjellës Kanalizime, Dorian Xhelili ndoqi sot nga afër punën për pastrimin e Stacionit të Pompimit në lagjen “24 Maji”, tek ish-Fabrika e Makaronave.

“Nga kjo punë e nisur po evidentojmë se ka ende qytetarë të pandërgjegjësuar që hedhin në rrjetin e kanalizimeve mbeturina të ndryshme, të cilat bëhen edhe shkak për përmbytje”, theksoi kryetari Leli.

Ai kërkoi nga qytetarët të jenë më të përgjegjshëm.

“Çdo gjë ka ardhur nga papërgjegjshmëria e qytetarëve, të cilët nëse duan një qytet që të mos përmbytet duhet të mos hedhin mbeturina”, tha Leli.

Ne, shtoi ai, jemi këtu të bëjmë maksimumin që të garantojmë lirshmërinë e kanalizimeve të qytetit.

Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve Vlorë është në gatishmëri të plotë për përballimin e stinës me reshje që pritet në vijim. Punën për t’u përgatitur për stinën e dimrit kjo ndërmarrje e ka nisur që në verë dhe po vijon me punën e përditshme të saj çdo dite.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.