Mbyllja e basteve, Rama: Qindra milionë euro në vit mbeten në arkën e familjes

98

PERGJIGJA IME

Posted by Edi Rama on E premte, 12 Tetor 2018

TIRANË, 12 tetor/ATSH-Maela Marini/ “Qindra milionë euro në vit që i marrin bastet arkës së familjes nuk do t’i marrë më as lumi dhe as llumi, por do t’i mbeten ekonomisë shtëpiake dhe do të rrisin fuqinë blerëse të çdo familjeje, që sot ka fatkeqësinë të ketë një lojtar fati në shtëpi”.

Në rubrikën “Përgjigja ime”, Kryeministri Edi Rama i ktheu përgjigje sot një komentuesi, i cili kundërshton vendimin për mbylljen e lokaleve të basteve, me argumentin se ky vendim do të nxjerrë shumë njerëz të papunë, duke goditur ekonominë familjare.

“Unë nuk po them: ‘shiko sa e bukur do të jetë jeta kur të mbyllen gjirizet e kumarit’. As e bukur, as e lehtë, por e mundur po, patjetër. Askush nuk do ta ketë të pamundur nëse do të dojë të ndërtojë një biznes të vogël, pasi taksa për biznesin e vogël në Shqipëri nga 1 janari 2019 është më e ulëta në Europë”, tha Rama.

Po ashtu, Kryeministri u shpreh se “ata që kanë dhënë me qira, apo kanë marrë përsipër të menaxhojnë për llogari të kompanive të bixhozit lokale bastesh e lojërash fatit, do të adaptohen në një treg, ku do të hyjnë qindra milionë lekë më shumë për konsumin”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.