Kumari, ndër burimet kryesore të financimit të krimit të organizuar

171

TIRANË, 12 tetor/ATSH-Maela Marini/ “Kumari, përveç të tjerash, është edhe një nga burimet kryesore të financimit të krimit të organizuar në Shqipëri”.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në rubrikën “Përgjigja ime”, duke iu përgjigjur një komentuesi që kundërshtonte vendimin e qeverisë për mbylljen e lokaleve të basteve nga 1 janari 2019.

Kryeministri theksoi se, “megjithë masat e ndërmarra nga qeveria dhe vendosjen e shumë më tepër rregulli se më parë për kazinotë dhe kompanitë e basteve, sërish mbeti shumë llum dhe informalitet”.

“Ne dyfishuam të ardhurat nga taksat e kompanive, megjithëse përgjysmuam numrin e tyre. Formalizuam një pjesë të madhe të punonjësve dhe krijuam një sistem të ri kontrolli mbi lojërat e fatit, por sërish mbeti shumë llum dhe informalitet”, tha Rama.

Ky është një operacion i thellë që i ka dhimbjet e veta, shtoi Kryeministri, ndërsa shprehu bindjen se “kjo masë është domosdoshmëri për Shqipërinë e sotme dhe garanci për Shqipërinë që duam për fëmijët tanë nesër”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.