Kthimi i mbetjeve të avionit të rrëzuar në Smolensk, Bushati: Mbështesim rezolutën polake

130

TIRANË, 12 tetor /ATSH- I. Vata/ – Grupi SOC në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës mbështeti rezolutën polake për avionin presidencial Polak që u rrëzua në 10 Prill 2010 në të cilën kërkohet që Rusia duhet të kthejë mbetjet dhe materialet nga aeroporti Smolensk ku ndodhi tragjedia njerëzore me 96 viktima, mes tyre edhe presidenti Lech Kaczyński.

Lajmin e bëri të ditur deputeti i Partisë Socialiste Ervin Bushati, anëtar i grupit SOC në Asamblenë Parlamentare të KE-së, i cili thotë se në diskutimet për këtë çështje, në emër të grupit socialist, është dhënë mbështetje për rezolutën polake.

“Sot grupi SOC në Asamblenë Parliamentare të Këshillit të Europës mbështet Rezolutën për Avionin Presidencial Polak që u rrëzua në 10 Prill 2010: Rusia duhet të kthejë mbetjet dhe materialet nga Aeroporti Smolensk ku ndodhi një tragjedi njerëzore me 96 viktima, mes tyre Presidenti Lech Kaczyński”, shprehet ai.

Po ashtu, Bushati shton se “10 vite pas kësaj ngjarje tragjike që eleminoi një pjesë të rëndësishme të elitës polake, populli Polak ka të drejtën njerëzore të kërkojë gjithë materialet e provës dhe mbetjet e avionit TU – 154M të Forcës Ajrore të Polonisë”.

Avioni ”Tupolev 154” me presidentin polak, Lech Kaczynski, në bord u rrëzua gjatë uljes në një pyll pranë Smolenskut, në perëndim të Rusisë duke shkaktuar vdekjen e të gjithë personave që ndodheshin në bord.

Presidenti polak, bashkëshortja e tij dhe një numër zyrtarësh të lartë polakë do të shkonin në Katyn, pranë Smolenskut, me rastin e 70-vjetorit të vdekjes së 22 000 oficerëve polakë, të ekzekutuar nga policia staliniste. /j.p/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.