Kosovë, ambasadorët mbështesin reformat “Drejtësia 2020”

PRISHTINE, 12 tetor /ATSH/ -Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, priti sot në një takim ambasadorin e Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi, si dhe Ambasadorin e OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu.

Në takim, ministri Tahiri njoftoi ambasadorët për punën që është bërë në përmirësimin e legjislacionit, si dhe për reformat e tjera të ndërmarra, Rishikimin Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit dhe agjendën e përbashkët me Këshillin Gjyqësor dhe atë Prokurorial “Drejtësia 2020”.

Po ashtu Tahiri deklaroi se kohët e vështira në funksionimin e sektorit të drejtësisë po tejkalohen, dhe se nuk duhet të humbasë mundësia që gjyqësori në Kosovë të jetë i besueshëm për të gjithë qytetarët.

Nga ana e tyre, ambasadorët dhanë mbështetjen e tyre për “Drejtësia 2020”, duke theksuar se kjo agjendë tregon përkushtimin e fuqishëm që kanë institucionet vendore, përtej obligimeve legjislative, për zgjidhjen e shumë problemeve me mirëbesim./KosovaPress//e.malaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.