Komisionerja e BE-së: Kosova ka plotësuar kriteret për liberalizimin e vizave

PRISHTINE, 12 tetor /ATSH/ -Komisionerja e BE-së për Ekonomi dhe Shoqëri Digjitale, Mariya Gabriel, zhvilloi sot një takim me zëvendëskryeministrin Enver Hoxhaj, ministrin për Inovacion Besim Beqaj dhe ministrin e Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka.

Pas takimit komisionerja e BE-së për Ekonomi dhe Shoqëri Digjitale, Mariya Gabriel, tha se Kosova mund të jetë një nga partnerët tanë kyç që ta përdorë teknologjinë si një motor të ekonomisë.

“Do të dëshiroja që menjëherë të theksoj se si bashkëpunimi jonë nuk është vetëm me fjalë të bukura por është një gjë konkrete. Tani është koha ta realizojmë me dimensione shumë konkrete. Ulja e roamingut për rajonin, ne po punojmë dhe kemi ambicie të qarta për këtë. Ky popull me popullsi kaq të re dhe duhet të investojmë në qytetarët tanë. Dëshiroj që të vazhdoj të iu inkurajoj që të vazhdoni në ketë rrugë që të shihni inovacionin si një mundësi”, tha ajo.

Ajo ka folur edhe për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Kosova ka punuar shumë për të fituar liberalizimin e vizave dhe mund tju urojmë për të gjitha këto. Është e rëndësishme të vazhdohet me dialog me të gjitha shtetet që të merret vendimi sa më shpejt. Të gjitha kriteret janë plotësuar, por nuk është proces i lehtë. E keni këtë potencial dhe është e rëndësishme që të vazhdoni. Liberalizimi i vizave është i rëndësishëm për ju dhe vazhdoni të punoni brenda vendit tuaj”, thekson ajo.

Ndërsa, zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, ka falënderuar komisioneren për të gjithë kontributin e saj dhënë për Kosovën.

“Si një politikane europiane është përkrahëse për Kosovën. Sot e kemi në Prishtinë me një qëllim tjetër, qëllimi i saj është që ta promovojë në Kosovë inovacionin e teknologjisë. Sot biseduam se si mund të ketë një bashkëpunim më të mirë mes vete për teknologjinë dhe inovacionin. Kemi biseduar edhe për atë që të ulet tarifa e roamingut për vendet e rajonit”, tha ai.

“Është një vendosmëri e kryetarit të Kuvendit që me çdo kusht të kemi një unitet se si duhet të përfaqësohemi në dialog. Është pakëz e parakohshme me hy në epilogun e dialogut, ne e dimë se cilat janë qëllimet tona njohja e ndërsjelltë asgjë më pak as më shumë nuk pranojmë”, tha ai.

Sa i përket liberalizimit të vizave Hoxhaj tha se në fund të vitit do të shihet se a është fer Europa në raport me Kosovën.

“Komisioni Europian është i qartë, Parlamenti Europian është i qartë ne na duhet të punojmë. Unë ende nuk jam me atë që të ngrisim shumë tensionin në publik, të punojmë më shumë me kryeqytete. Në fund të vitit do të shihet se a është bërë fer me Kosovën apo jo, a është i drejtë me Kosovën a jo. Nëse ka një test që mat kredibilitetin e Europës në raport me Kosovën është liberalizimi i vizave. Do të ishte ironi që ne në vitin 2019 të besojmë që BE-ja do ta bindë Serbinë që ta njoh Kosovën nëse nuk ka kapacitete të brendshme të marrë vendim për liberalizimin”, tha ai./KosovaPress//e.malaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.