Izolimi komunist në Gjermaninë Lindore, ekspozitë në Galerinë e Arteve

207

TIRANË,12 tetor /ATSH/ – Ekspozita “Kolazhe dhe Edicione”, që hapet sot në Galerinë Kombëtare të Arteve sjell për herë të parë në Ballkan koleksionin e artistes gjermane Ruth Wolf-Rehfeldt. Koleksioni i ekspozuar në Galerinë Kombëtare në Tiranë pasqyron izolimin nga mbikëqyrja e rreptë e regjimit nën të cilin jetonte artistja.

Ekspozita “Kolazhe dhe Edicione” me koleksionin e artistes gjermane Ruth Wolf-Rehfeldt është kuruar nga Sven Spieker, dizajni i ekspozitës nga arkitektja Johana Meyer-Grohbruegge.

Kuratori i ekspozitës Sven Spieker tregoi gjatë konferencës para çeljes së ekspozitës për praktikën artistike të Ruth Wolf-Rehfeldt, e cila përdorte makinën e shkrimit në vend të duarve të saj për të prodhuar imazhe të ndryshme në zinkografi. “Ruth zgjodhi këtë mënyrë si një përgjigje ndaj situatës dhe kufizimeve që ajo përjetonte si artiste në Gjermaninë Lindore, gjatë viteve ‘70”, pohon kuratori Spieker.

Më tej gjatë fjalës së tij kuratori tha se së bashku me arkitekten Johana Meyer-Grohbruegge e konceptuan ekspozitën si një hapësirë, ku punët e Ruth Wolf-Rehfeldt shfaqen në 24 vitrina ekspozuese.

“Të gjitha së bashku rikrijojnë një ndër imazhet të prodhuara nga vetë artistja”, vijoi kuratori Spieker. Drejtori i GKA-së, Erzen Shkololli falenderoi Ambasadën Gjermane për mbështetjen e tyre në këtë ekspozitë në kuadër të “Tetorit gjerman”. Ai pohoi se kjo mbështetje e ambasadës dhe veçanërisht e ambasadores gjermane Sussane Schutz ishte thelbësore për të sjellë për herë të parë në Tiranë veprat e artistes Ruth Wolf-Rehfeldt, e cila është një ndër përfaqësueset më të rëndësishme të lëvizjes artistike të artit postar.

Ekspozita që do të çelet sot në katin e tretë në GKA dhe do të qëndrojë për publikun deri në datë 12 janar të vitit që vjen.Në tekstin kuratorial bëhet me dije se Ruth Wolf-Rehfeldt është një artiste gjermane, që njihet kryesisht për artin e saj me poezi pamore dhe art postar./a.a/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.