Fundjavë e larmishme kulturore në kryeqytet

TIRANË, 12 tetor/ATSH/ – Institucionet kulturore në kryeqytet do të ofrojnë një sërë aktivitetesh kulturore për artdashësit gjatë kësaj fundjave. Pjesë e aktiviteteve do të jenë shfaqjet teatrore për të rritur dhe fëmijë, koncerte, ekspozita, etj.

Kalendari i aktiviteteve kulturore 12-14 tetor 2018:

– “Oskari dhe tezja Roze” / Premierë

Teatri Eksperimental sjell premierën më të re “Oskari dhe tezja Roze” të autorit Eric-Emmanuel Schmitt, vënë në skenë nga regjisori Kiço Londo dhe nën interpretimin e aktorëve: Roza Anagnosti, Franz Franc Bregu, Françeska Hysi dhe Juxhin Plovishti.

13 – 14 tetor 2018, ora 19:00, Teatri Eksperimental “Kujtim Spahivogli”

– “Ambël e Thartë Tour”/ Koncert

Këtë të premte, artisti i mirënjohur Shpat Deda nis turin e tij koncertor “Ambël e Thartë Tour” nga Tirana, në Amfiteatrin e Parkut të Liqenit Artificial.

12 tetor 2018, ora 20:00, Amfiteatri i Tiranës, Parku i Liqenit

– “Tag”/”arTurbina”

Rikthehet Komedia “TAG”, shkruar nga Bashkim Hoxha, me regji nga Andia Xhunga, me artistët: Olta Daku, Gert Ferra, Indrit Çobani, Adelina Muca, Naun Shundi, Mehdi Malka, Ardian Cerga, Erjona Kakeli, Besmir Bitraku, Artan Imami, Genti Deçka. Me pjesëmarrjen e Rajmonda Bulkut.

11, 12, 13, 14 tetor; ora 20:00; arTurbina

– “Lutja”/ Ekspozitë

Galeria FAB ju fton në ekspozitën personale të piktorit të mirënjohur Gazmend Leka. Kjo ekspozitë, është autoportret i brendshëm, intim, tejet sekret, i shprehur në 24 piktura, si 24 copëza të një mozaiku ekzistencial.

4 – 31 tetor 2018 ora 19:00, galeria FAB

– Ruth Wolf-Rehfeldt: “Kolazhe dhe Edicione”/ Ekspozitë

Galeria Kombëtare e Arteve ju fton në hapjen e ekspozitës “Ruth Wolf-Rehfeldt: Kolazhe dhe Edicione”, kuruar nga Sven Spieker. Ruth Wolf-Rehfeldt është një artiste gjermane që njihet kryesisht për artin e saj me poezi pamore dhe art postar.

12 tetor 2018, ora 19:00, Galeria Kombëtare e Arteve

– “Këtu – Apo atje, Është Më Atje”/ Ekspozitë

Në Galerinë Kombëtare të Arteve do të mund të ndiqni ekspozitën “Këtu – Apo atje, Është Më Atje”, e para në Shqipëri, nga artistja Flaka Haliti.

7 shtator – 9 nëntor 2018, Galeria Kombëtare e Arteve

–  “Libraria e magjepsur”/ Teatër

Teatri Eksperimental ju fton të shihni shfaqjen më të re për fëmijë “Libraria e magjepsur”, me regji të Marsel Grevës. Shfaqja shoqërohet nga këngë dhe numra koreografikë të kënduara dhe kërcyera nga personazhet.

Çdo të dielë, ora 10:30, Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”

– “Motër e vëlla”/ Teatër

Teatri Eksperimental ju fton të shihni shfaqjen më të re për fëmijë “Motër e vëlla”, me regji të Xhuliani Briskut. Xhon dhe Xhoana, dy fëmijë të vegjël janë rrëmbyer nga Morgana, një magjistare e cila ka për qëllim të bëhet mbretëresha e Nolanit. Me shumë zgjuarsi arrin të arratisen nga strofulla e saj.

Çdo të shtunë, ora 10:30, Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”

 /k.s//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.