FOTO/Rinis programi edukativ në muzeun ‘Shtëpia me Gjethe”

94

TIRANË,12 tetor /ATSH/ – Rinis për vitin e ri shkollor 2018- 2019 programi edukativ: “Kujtojmë për të mos harruar” në Muzeun Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”.

Shkolla “Avni Rustemi” në Tiranë u bë pjesë e projektit “Kujtojmë për të mos harruar” i cili zhvillohet në kuadër të programit të lançuar nga Ministria e Kulturës, “Edukimi mbi dhe përmes Kulturës”.

Projekti ka si qëllim njohjen e brezave të rinj me të kaluarën e errët komuniste shqiptare si dhe ndërgjegjësimin e tyre rreth pasojave të komunizmit.

Me anë të këtij projekti nxënësit pjesëmarrës patën mundësi jo vetëm të vizitojnë muzeun por edhe të bashkëbisedojnë me Uran Kostrecin, poet, shkrimtar dhe mësues, i dënuar politik në kohën e diktaturës me 20 vite burg dhe 5 vite internim. 

Ky projekt përfshin të gjitha shkollat 9-vjeçare të kryeqytetit ku nxënësit nëpërmjet vizitës që zhvillojnë në ambientet e ”Shtëpisë së Gjetheve”, njihen dhe prekin nga afër objektet dhe historinë e kësaj shtëpie jo pak misterioze për brezin e ri.

Risia e këtij projekti të ndërmarrë nga ky muze është bashkëbisedimi i nxënësve me ish të persekutuar të regjimit komunist, të cilët të rrëfejnë histori personale dhe vuajtjet e përjetuara në atë periudhë./a.a/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.