FOTO/Objektet e rralla monumentale tërheqin vëmendjen e nxënësve

152

TIRANË,12 tetor /ATSH/ – Në kuadër të programit “Edukimi përmes kulturës” maturantët e shkollës së mesme “Petri Nini Luarasi” morën pjesë në veprimtarinë “Një ditë me kuratorin” me temë: “Objektet e varreve monumentale të qytetit antik të Selcës së Poshtme (Pogradec) në Muzeun Historik Kombëtar”.

Takimi kishte si qëllim prezantimin e objekteve të varreve monumentale të qytetit antik të Selcës së Poshtme (Pogradec) të ekspozuara në Pavijonin e Lashtësisë.

Në kodrën e quajtur Gradishtë në Selcën e Poshtme janë zbuluar rrënojat e një qyteti ilir. Gërmimet arkeologjike janë realizuar në vitet 1969-1972 nga Neritan Ceka. Si vendbanim është formuar në periudhën e hershme të bronzit dhe ka vazhduar pandërprerë në epokën e hekurit. Në shek. VI-V p.k. u zhvillua si qendër protourbane në rrugën natyrore të Shkumbinit.

Duke filluar nga shek. IV p.k. u kthye në qytet të fortifikuar, ndërsa nga shek. IV-I p.k. ishte qendër e rëndësishme prodhimi, shkëmbimi dhe administrimi e krahinës ilire të Desaretisë. Në shek. III p.k u gdhendën në shkëmb katër vare monumentale princërore, si krijime origjinale të arkitekturës së stilit jonik.

Në një dhomë varrimi të ripërdorur në fund të shek. III p.k është gjetur një inventar i pasur me armë, enë bronzi e baltë, zbukurime ari dhe pafta me skenë mitologjike luftimi (kadmi dhe Harmonia), të ekspozuara në Muzeun Historik Kombëtar. Ky qytet u rrënua përfundimisht nga sllavët në shekullin e VI. /a.a/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.