FOTO/ Komedia “Mbesa e krahinarit” dhe Luftar Paja sjellin plot të qeshura

174

TIRANË,12 tetor /ATSH/ – Komedia “Mbesa e krahinarit” solli plot batuta e të qeshura mbrëmjen e djeshme për publikun kryeqytetas në Teatrin Metropol.

E shkruar nga Kristo Floqi, me pjesëmarrjen e veçantë të Luftar Pajës dhe me aktorët Xhino Musollari, Donald Shehu e Alba Shtëmbari, me regji nga Aldi Hysotoçi, kjo komedi erdhi në skenë si pjesë e festivalit ”Metrofest2” , i cili vazhdon programin e tij deri të dielën.

Doket dhe zakonet, ligjet dhe rregullat, njerëzilliku dhe burrëria mpleksen aq bukur sa, jo vetëm paraqitën realitetin e viteve 1930, por jepnin mësime edhe për sot për publikun e pranishëm në sallë.

Komedia flet për një fshat të Myzeqesë ku vjen për inspektim nga shteti Inspektori i lartë Myfetish Beu, një nga inspektorët më të rreptë të asaj kohe. Kjo vizitë nuk është e rastësishme, pasi kanë ardhur shumë ankesa për Krahinarin e Krahinës, i cili nuk merret me asnjë detyrë të tijën.

Ndërkohë që Krahinari pret Inspektorin, një kaçak mali i lë në shtëpi të dashurën e tij të rrëmbyer. Krahinari e di fare mirë se, përveç dasmave, asgjë tjetër nuk ka bërë në krahinë, por, në shpëtoftë këtë herë pa u lagur, doemos do vërë rregull dhe disiplinë.

Në këtë komedi publikut iu servir një panoramë e qartë mbi traditat dhe zakonet e rrepta të viteve 1930 dhe ndikimi i tyre në marrëdhëniet njerëzore./a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.