Foto- “100 fshatrat”, Lura e pasur me monumente kulture dhe traditë

133

TIRANË,12 tetor /ATSH/ – Fshati Lurë në Dibër i përfshirë në projektin “100 Fshatrat”ka zbuluar bukuritë dhe traditat e trashëgimisë kulturore për specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës.

Në territorin e komunës së Dibrës ekziston një fond i pasur i trashëgimisë kulturore, i cili përfshin disa kategori: atë arkeologjike, ndërtimore, objektet sakrale, profane dhe arkitektura tradicionale, trashëgimia etnologjike, zejet dhe shkathtësitë tradicionale, trashëgimia e gjallë, traditat folklorike, adetet popullore dhe ritet popullore.

Specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës ishin bënë pjesë e grupit të inspektimit në kuadër të projektit “100+ fshatrat”, në fshatin Lurë.

Në Lurë u inspektuan objektet monument kulture të zonës, të cilat evidentojnë vlerat kulturore të fshatit. Gjatë vizitës u inspektua edhe gjendja e konservimit të këtyre monumenteve si dhe u bë dokumentimi fotografik i banesave karakteristike të zonës së bashku më tipologjitë e elementëve të sistemimit dhe rrethimit të tyre.

Projekti “100+ fshatrat” kërkon të ndërtojë modele zhvillimi, të cilat do të shtrihen në 100 fshatrat shqiptare dhe do të shërbejnë si modele të zhvillimit rural me fokus agro turizmin.

Lura është një destinacion turistik me 7 liqenet e saj të famshëm. Lura ofron kushte ideale për piknike e ngjitje sportive, ku mund të soditësh panorama mahnitëse që të ofron ky vend i mrekullueshëm dhe që e bën tepër interesant udhëtimin, pushimin dhe aktivitetet e tjera.

Është zonë e pasur dhe me vlera unikale natyrore.

Një tjetër atraksion për turizëm janë edhe tradita dhe zakonet,etnografia, vallet por mbi të gjitha kuzhina dibrane.

Dibra shquhet edhe  për gatimin tradicional, ku veçohet biriani i përgatitur me jufka të cilat janë makarona të përgatitura vetëm me miell, vezë dhe qumësht, apo me oriz të gatuar me mish, jahnia siç e quajnë vet dibranët është gjellë që gatuhet me mish dhe me qepë.

Ndërsa si ëmbëlsirë tipike është sheqerparja e gatuar me miell, vezë dhe shumë gjalpë.

Dibra po kthehet në një destinacion turistik gjithëvjetor për shkak të resurseve turistike që disponon./a.a/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.