Fier – Ndërtimi i urës në Ferras, fund përmbytjeve

49

TIRANË, 12 tetor/ATSH/ – Punimet për rindërtimin e urës mbi kanalin e degës së Martinës në Ferras, Njësia Administrative Levan, Fier, po vijojnë intensivisht për të bërë të mundur përfundimin e saj përpara nisjes së reshjeve.

Kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi, bën të ditur se “paralel me rindërtimin e urës, përforcimi i argjinaturës në degën e Martinës dhe kolektori i Klosës janë objektiva që aktualisht kanë marrë gjithë vëmendjen tonë”.

Sipas Subashit, do t’i paraprijmë çdo situate të pakëndshme që mund të paraqitet gjatë sezonit të reshjeve.

“Jemi të gjithë bashkë me mjete dhe burime njerëzore në këtë sipërmarrje, përpjekjet për të cilën i kemi nisur kohë më parë bashkë me Forcat e Armatosura”, shprehet Subashi.

Ura mbi kanalin e degës së Martinës ka qenë një nga shkaqet e përmbytjeve në Ferras dy vitet e fundit. Si pasojë e reshjeve dhe vërshimit të lumit Vjosë, ura mbi kanalin e degës së Martinës duke qenë e ngushtë, pengonte shkarkimin e ujërave, duke ndikuar njëkohësisht në bilancin e përmbytjeve në zonë.

Ambasada e Republikës së Çekisë mbështeti bashkinë e Fierit në rindërtimin e kësaj ure me një vlerë financiare rreth 50 mijë euro.

Kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi dhe ambasadori i Republikës së Çekisë në Shqipëri, Jaroslav Ludva, në prill të këtij viti nënshkruan marrëveshjen e mirëkuptimit për rindërtimin e saj. /k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.