Falë reformave, ”Mësuesia’ u shndërrua në një nga degët më të kërkuara

149

TIRANE, 12 tetor/ATSH/ – Ministrja e Arsimit dhe Sporteve Lindita Nikolla deklaroi se “Mësuesia” është shndërruar sot në një nga degët më të kërkuara nga maturantët.

Kështu deklaro Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla gjatë aktivitetit për kurrikulën e arsimit parashkollor për fëmijët nga 3 deri në 6 vjeç, që u zhvillua sot në shkollën 9-vjeçare “Ardian Klosi” pranë Bregut të Lumit në Tiranë.

Nikolla sqaroi se “mësuesia nga një fushë që renditej shumë poshtë në kërkesa, sot ajo renditet e treta pas ekonomisë dhe shkencave sociale”.

“Kjo nuk ka qenë ndonjëherë. Mësuesia ishte zgjedhja e fundit e maturanteve më të dobët. Sot maturantët që zgjodhën mësuesinë e kanë mesataren mbi 7”, tha ministrja.

Nikolla tha më tej se “vendosëm të investohemi në arsimin parashkollor pasi investimi në fëmijërinë e hershme, ndihmon për një kalim më të lehtë në klasën e parë”. “Në 4 vite kemi përmbushur gjithë strukturën e arsimit parauniversitar. Duhet te kemi masivizim të fëmijëve në kopshte dhe të rrisim aksesin në këto institucione”, tha ministrja.

Nikolla shtoi se “procesi i decentralizimit ka bërë që institucionet e parashkollorit i kanë kaluar bashkive, por ne nuk do të tërhiqemi dhe nuk tolerojmë që investimet që vijnë nga buxheti i shtetit të mbeten në mes të rrugës. Riorganizim të rrjeteve profesionale, mësuesit e parashkollorit do të përzgjidhen përmes portalit ‘Mësues për Shqipërinë'”.

/o.l//a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.