Europol: Në pranga 7 anëtarë të rrjetit të dyshuar për trafikimin e mijëra personave

164

TIRANË, 12 tetor/ATSH- A. Fortuzi/- Europol ka arrestuar shtatë anëtarë të rrjetit të dyshuar për trafikim të mijëra personave.

Të arrestuarit ishin anëtarë të një grupi të krimit të organizuar që merrej me pasaporta të falsifikuara dhe të dyshuar për trafikimin e mijëra njerëzve. Grupe të ndryshme nga rrjeti i gjerë ishin shkatërruar tashmë në Shqipëri marsin e kaluar. Migrantët, duke kërkuar një jetë më të mirë në Kanada, Britani të Madhe apo SHBA, u rekrutuan në Shqipëri dhe ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe paguan ndërmjet 20 000 dhe 25 000 dollarë në këmbim të dokumenteve të falsifikuara të udhëtimit.

Hetuesit nga Policia Kombëtare Spanjolle ishin në gjendje të identifikojnë dhe arrestojnë 27 emigrantë në aeroportet e shumta spanjolle që udhëtonin me dokumente të falsifikuara nga disa vende evropiane.

Dita e Operacionit në Shkup
Aksioni u zhvillua më 4 tetor në vende të ndryshme në ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Në kërkim të pronave, oficerët e policisë konfiskuan shuma parash: 1 800 euro, 14 500 dollarë, 4 400 franga dhe 500 dollarë, krahas dy automjeteve luksoze, një armë zjarri, fishekë, 14 telefona celularë, katër pasaporta australiane, një kopje të një pasaporte kanadeze dhe aplikacionet për viza kanadeze, mes dokumenteve të tjera.

Operacioni “Pasaporta” u krye nga Njësia Kombëtare për Ndalimin e Kontrabandimit të Migrantëve dhe Trafikimit me Qenie Njerëzore të ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, në bashkëpunim me Shërbimin Diplomatik të Sigurisë së SHBA-ve, Doganat e SHBA-së dhe Mbrojtjen e Kufirit dhe hetimet e Sigurisë Kombëtare në SHBA.

Qendra Evropiane për Kontrabandimin e Emigrantëve në Europol mbështeti operacionin, duke organizuar takimin fillestar me të gjitha palët e përfshira. Gjatë hetimit, informacioni u kontrollua në bazën e të dhënave të Europol dhe u nda me partnerët e përfshirë për të mbledhur sa më shumë të dhëna nga inteligjenca, që ishte e mundur. Europol koordinoi veprimet e ndërmarra në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë në mes të oficerëve të policisë nga disa vende evropiane si Shqipëria, Austria, Bullgaria dhe Spanja. Gjatë operacionit, Europol ishte i pranishëm në Shkup me mbështetje ligjore dhe operacionale. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.