Diplomacia ekonomike, Shqipëria dhe Sllovenia vendosin piketat e bashkëpunimit

61

TIRANË, 12 Tetor/ATSH/ Energjia e qëndrueshme, menaxhimi i burimeve ujore dhe mbetjeve, turizmi dhe bujqësia janë fushat kryesore ku do të fokusohet bashkëpunimi ekonomik mes Shqipërisë dhe Sllovenisë.

Në Tiranë u zhvilluan dje konsultimet mbi diplomacinë ekonomike mes Shqipërisë dhe Sllovenisë. Bisedimet për palën shqiptare u kryesuan nga Zëvendësministri Etjen Xhafaj, ndërsa për palën sllovene nga Drejtoresha e Përgjithshme për Diplomacinë Ekonomike dhe Publike, Alenka Suhadolnik.

Konsultimet u zhvilluan në një frymë shumë miqësore dhe me shkëmbime mendimesh për qasjet e diplomacisë ekonomike në të dyja vendet.

Të dyja palët e vunë theksin tek rëndësia e diplomacisë ekonomike si një instrument i domosdoshëm koordinues, mbështetës dhe nxitës në funksion të rritjes së investimeve të huaja, rritjes së eksporteve, promovimit të brande-ve kombëtare si dhe gjetjes dhe diversifikimit të tregjeve të reja.

Si fushat më me prioritet ku të dyja palët ranë dakord për të orientuar bashkëpunimin në të ardhmen janë: energjia e qëndrueshme, menaxhimi i burimeve ujore dhe mbetjeve, turizmi dhe bujqësia.

Pala sllovene përsëriti qëndrimin e palëkundur si mbështetëse e fortë e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian dhe i ofroi ekspertizën e saj palës shqiptare për të aplikuar në programet e Bashkimit Europian sidomos për kulturën, inovacionin dhe shkencën./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.