​Pacolli: Optimist për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL

152

PRISHTINE, 12 tetor/ATSH/-Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, e vlerësoi si sukses të madh të diplomacisë kosovare anëtarësimin e Kosovës si anëtare e asociuar në Organizatën e Frankofonisë.

“Konsideroj se eventi i Erevanit është më i madhi pas OKB-së. Ka qenë një frekuentim i madh i bashkësisë ndërkombëtare dhe të jesh në mesin e tyre, të konsiderohesh si shtet i barabartë në mesin e këtyre shteteve, është arritje e madhe për Kosovën. Kjo organizatë ka disa rregulla. Së pari duhet të jesh një mbështetës i kësaj organizate për të qenë vëzhgues i saj. Më pas duhet të kalojnë disa vite, ndoshta një decenie, që të kalosh në gradën tjetër. Ne kemi pasur fatin që brenda katër vjetësh nga vëzhgues të jemi anëtar i asociuar. Nga sot e tuje do ta kemi më të lehtë që Kosova të jetë anëtare me të drejta të plota”, deklaroi Pacolli gjatë një interviste televizive.

Kryediplomati kosovar gjithashtu ka bërë të ditur se në këtë ngjarje vazhdimisht ka pasur pengesa nga Serbia.

“Serbia gjithmonë ka qenë obstruktive. Në mbledhjen e ministrave dje dhe pardje, ajo e ka kundërshtuar fuqishëm prezencën e Kosovës në sallë. Ata kanë thënë se gjoja po politizohet Konferenca e Frankofonisë. Megjithatë një gjë e tillë nuk na bën përshtypje”, shpjegoi Pacolli.

Pacolli shprehet optimist në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, pasi sipas tij, diplomatët kosovarë vazhdimisht kanë lobuar për këtë anëtarësim, gjë që ka vazhduar edhe gjatë qëndrimit të tij në Erevan të Armenisë.

“Jemi takuar me shumë shefa të shteteve të ndryshme, me kryeministrin e Kanadasë, kemi lobuar për votë në nëntor. Kemi biseduar me të gjitha shtetet, pa marrë parasysh a na kanë njohur apo jo, për votën e nëntorit në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL. Unë nuk besoj që ka një shtet në botë që nuk e di se Kosova është në agjendën e Samitit Ndërkombëtar të INTERPOL-it këtë vit. Të gjithë e dinë dhe mund t’ju them se kemi arsye të jemi të inkurajuar që do të kemi sukses në nëntor”, tha Pacolli./KosovaPress/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.