Zëvendësministrja zbulon detyrat e oficerëve të sigurisë në shkolla

TIRANË, 11 tetor/ATSH – A. ALLA /- “150 oficerë sigurie do të shpërndahen në 150 shkollat më të frekuentuara të vendit, për të siguruar ambiente të sigurta në perimetrin shkollor dhe për t’u kujdesur për shëndetin psikologjik të nxënësve, në bashkëpunim me mësuesit, psikologët dhe prindërit”.

Kështu u shpreh zëvendësministrja e Arsimit, Besa Shahini, në një intervistë për ERTV, ku sqaroi detajet për mënyrën se si do të funksionojë programi i oficerëve të sigurisë.

“Pilotimi i programit në 15 shkolla të Tiranës na ka mundësuar neve dhe Akademisë së Sigurisë që të evidentojmë fenomenet që duhen trajtuar. Fenomenet që do duhet të trajtojnë janë bullizëm, dhunë në shkolla, shkelje të disiplinës në shkolla, të gjitha këto janë marrë parasysh kur është ndërtuar moduli i Akademisë së Sigurisë për oficerët që do trajnohen në vazhdim”, – theksoi Shahini.

Sipas saj, ata do të merren edhe me çështje që kanë të bëjnë me zhvillimin psiko-social të nxënësve, por edhe për mbarëvajtjen e përgjithshme të procesit mësimor.
Zv/ministrja Shahini u shpreh se “oficeri që do të certifikohet do të ketë objektiva dhe një plan individual pune për shkollën që do të mbulojë dhe atë do ta realizojë në bashkëpunim me të gjithë mësuesit”.

“Në avantazh me një punonjës policie, oficeri do të jetë më i përfshirë brenda shkollës duke ndërvepruar me mësuesit, drejtorët dhe psikologët e shkollave për të parandaluar situatat që ndikojnë mbi nxënësin”, – nënvizoi ajo duke shtuar se kjo është një eksperiencë që vjen nga vendet Perëndimore, si SHBA.

Zëvendësministrja bëri të ditur se oficerët e parë janë trajnuar në Akademinë e Sigurisë, por më pas do të hapet thirrja e aplikimeve për të tjerë oficerë, që mund të jenë edhe persona që kanë studiuar shkenca sociale apo drejtësi.

“150 të tjerët që do të vijë jo domosdoshmërisht duhet të jenë persona që kanë kryer Akademinë e Sigurisë. Këta do të kryejnë një trajnim të dedikuar një mujor nga Akademia, për çështje që kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e procesit të sigurisë”, – theksoi Shahini.

Lidhur me ndalimin e aparateve celularë në shkolla zv/ministrja Shahini u shpreh se, “ideja nuk është ndëshkimi i nxënësve, por është mbarëvajtja e nxënësve mbi lëndët ekzakte në shkolla, pasi vëmendja e qenies njerëzore nuk i përballon dot të dyja dhe mësimin, dhe celularin. Ky është qëllimi i parë, të kemi një vëmendje sa më të madhe të nxënësve në procesin mësimor. Qëllimi i dytë, është që të ketë barazi brenda ambienteve shkollore, pasi telefoni celular është një objekt i cili bën diferencën sociale mes nxënësve. Duke mos e përdorur telefonin, ata kanë më socializim me njëri-tjetrin. Qëllimi i tretë dhe shumë i rëndësishëm është bullizmi, i cili shumë shpesh ndodh nëpërmjet rrjeteve sociale, që e bën të paidentifikueshëm nga stafi mësimor. Nisma e mospërdorimit të celularëve na ndihmon që të paktën gjatë procesit mësimor nxënësit të mos bien pre e tij”.

E pyetur për problemin e klasave kolektive Shahini tha se “për këtë çështje janë ndërmarrë disa hapa. E para, është në klasat kolektive, ku nxënës të moshave të ndryshme shkojnë në shkollë në të njëjtën kohë dhe kurrikulat mësimore janë të ndryshme dhe kjo ndikon në mosinformimin e tyre. Është një studim i përgjithshëm që ne kemi bërë tek 33 mijë nxënës që vjet kanë qenë në klasa kolektive dhe jemi munduar të shohim ku janë arritjet e tyre mësimore. Rezultati është më i dobët te nxënësit që zhvillojnë mësimin në klasat teke. Kemi ndërtuar një program emergjent për shkrim-leximin i cili është aplikuar gjatë gjysmëvjetorit të kaluar 2017-2018 që ata të përforcojnë aftësitë e tyre në shkrim dhe lexim”.

Në fund, zv.ministrja Shahini u shpreh se, “faza tjetër, e cila ka zgjatur diku te 8 muaj ka qenë një studim i mirëfilltë i largësive nga shtëpitë e nxënësve tek shkollat, gjithashtu dhe një studim të mirëfilltë është bërë jo vetëm distancave, por edhe terrenit. Ky studim përcakton dhe mundësitë reale të nxënësve aty ku kanë qenë distancat e largëta, ne nuk e kemi bërë transferimin e nxënësve dhe ky ka qenë hapi tjetër”, – përfundoi zëvendësministrja e Arsimit, Besa Shahini. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.