Vrioni i bashkohet kombëtares U-21, Enea Mihaj pëson frakturë në kockë

106

TIRANË, 11 tetor /ATSH/ – Skuadra përfaqësuese e futbollit ka vijuar sot paradite seancën stërvitore, një ditë pas ndeshjes miqësore me Jordaninë, e mbyllur në barazim 0-0 në “Elbasan Arena”. Pas dëmtimit të djeshëm gjatë ndeshjes, futbollisti Enea Mihaj pas disgnostikimit ka pësuar një thyerje të peronit dhe menjëherë i është nënshtruar fazës riaftësuese, e cila do të zgjasë disa javë.

Ndërkaq, sulmuesi Giaccomo Vrioni i është bashkuar ekipit kombëtar U-21, për të qenë në dispozicion të teknikut Alban Bushi për takimin zyrtar eliminator me Spanjën, që luhet sot në orën 19:00 në stadiumin “Selman Stërmasi”.

Gjatë seancës së paradites, skuadra ka nisur me një shkrythje të lehtë, vrapime të lehta për të vijuar më pas me programin përkatës të trajnerit në aspektin taktik. Dita e nesërme do të përkojë me dy seanca stërvitore, paradite dhe pasdite, të cilat do të zhvillohen me dyer të mbyllura, teksa të shtunën, përpara nisjes drejt Izraelit, në mëngjes ekipi do të kryejë edhe seancën e fundit stërvitore në “Tropikal”.

Ndërkaq, sot dhe nesër programi mediatik do të vijojë me daljet publike të futbollistëve në orën 13:30.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.