Ura e Golikut pjesë e 33 kantiereve të restaurimit, rijetëzohet për herë të parë

218

TIRANË,11 tetor /ATSH/ – Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro inspektoi punimet në Urën e Golikut, mbi lumin Shkumbin, ndërtuar mbi gjurmët e rrugës së vjetër “Egnatia”.

Gjatë inpektimi ministria Kumbaro është shprehur se, “ndodhemi në urën e Golikut, e cila është një ndër 33 kantieret e restaurimit që ka hapur Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve. Janë dhe 4 ura që po i nënshtrohen restaurimit për t’u përgatitur për konsolidim, që të mos kemi probleme për dimrin që po vjen”.

Kumbaro tha se, “Ura e Golikut bashkë me urën e Kordhocës, Nivanit është një ndër urat që po i nënshtrohet restaurimit, falë kontributit të sponsorëve privatë. Ura e Golikut është një urë e shek XVIII, e cila nuk ka njohur asnjëherë restaurime dhe konsolidimi që ne po kryejmë është i pari në llojin e vet, por që na jep garanci që do t’i rezistojë reshjeve të dimrit që po vjen”.

Instituti i Monumenteve të Kulturës ka miratuar projektin e plotë “Konsolidim dhe restaurimi i urës së Golikut”. Kjo është ura e katërt që po restaurohet, pas Nirvanit, Kordhocës dhe Shën Prodhomit.

Ura e Golikut në lumin Shkumbin, pjesë e rrugës Egnatia, mbetet një atraksion turistik sidomos për të apasionuarit pas trashëgimisë kulturore. Ajo ndodhet në zonën e Mokrës, 40 km larg qytetit të Pogradecit mbi lumin Shkumbin në fshatin Golik.

E klasifikuar si monument kulture i kategorisë të parë, Ura e Golikut është ndërtuar në shekullim e XVII. E gjatë 17 metra, e gjerë 3 metra dhe 10 metër e lartë, kjo urë ka qenë pjesë e rrugës Egnatia. Ura gjendet në Selcën e Poshtme në dalje të fshatit Golik. Rruga, e cila të çon tek ura është në gjendje normale dhe e gjitha e asfaltuar. Ndërkohë afërsia me ujin dhe malin ofron një peizazh mahnitës për këdo që do të ndjekë itinerarin e vjetër të rrugës Egnatia.

Ura është ndërtuar me gurë të gdhendur, ku bie në sy pjesa e poshtme e qemerit e cila ka gurë të mëdhenj dhe të punuar mirë, kjo jo thjesht për estetikë, por për ta bërë strukturën më solide dhe më të fortë. Pogradeci dhe zona afër tij, kanë qenë vendbanime të rëndësishme në lashtësi. Kjo trevë ka qenë e banuar nga fiset Ilire mbi 2000 vjet para lindjes se Krishtit.

Gjurmë të kësaj lashtësie gjenden afër Buqezës, ku ndodhen disa palafite prehistorike të ndërtuara mbi sipërfaqen e ujit. Po në këto zona janë dhe varret monumentale të Selcës së Sipërme dhe zbulimet e tjera arkeologjike, që flasin për një rajon tepër të zhvilluar në lashtësi. Këtu ka jetuar dhe është varrosur edhe mbreti ilir Klit. Sipas burimeve të antikitetit, kjo zonë ka qenë e banuar nga fiset ilire të Enkelejve dhe Desaretëve./a.a/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.