Unaza lindore e Tiranës – Investim që siguron përfundimin e plotë të rrugës

163

TIRANË, 11 tetor /ATSH/- Autoriteti Rrugor Shqiptar me një investim prej 3.9 miliardë lekë, do të kryejë punimet në lotin 2 dhe 3 të Unazës Lindore të Tiranës.

Investimi në lotin 2, që kap vlerën e 1.58 miliardë lekë parashikon ndërtimin dhe përfundimin e plotë të këtij aksi rrugor, duke siguruar lidhjen me segmentet rrugore të përfunduara dhe me ato që do të ndërtohen në vazhdim.

Në këtë pjesë, projekti kalon nëpër Fushën e Farkës, mbi pjesën e sipërme të përroit të Kabatit, duke dalë në zonën e Shkozës. Punimet në këtë aks parashikohet të përfundojnë  në 24 muaj.

ARRSH bën të ditur se, lotit 3, që kalon në zonat Shkozë, “Ali Demi” dhe “Kodra e Priftit”. Objekti ka një gjatësi të përgjithshme rreth 3.3 kilometra dhe do të kushtojë 2.33 miliardë lekë.

Ky segment është i ndarë në dy pjesë. Pjesa e parë është vazhdim i unazës që vjen nga Farka dhe përfundon në Jug të ish-Uzinës së Autotraktorëve.

Ndërsa pjesa e dytë fillon pak mbi Maternitetin e Ri të Tiranës dhe duke ndjekur rrjedhën e sipërme të lumit Lanë, intersekton Urën e Shkozës dhe përfundon në Jug të ish-uzinës së Autotraktorëve duke u lidhur me Unazën e Madhe të Tiranës.

Edhe në këtë segment punimet do të zgjatin 24 muaj.

/e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.