“UN Women”, paketë rekomandimesh për ndryshime në Kodin Zgjedhor

121

TIRANË, 11 tetor/ATSH – Z. Tosku/ – Në vetëm dy vite, në 18 qytete të Shqipërisë janë krijuar aleanca të grave këshilltare të cilat funksionojnë pranë bashkive, për të kontribuar në drejtim të barazisë gjinore dhe përfaqësimit të grave dhe vajzave në jetën sociale dhe politike.

Përfaqësues të “UN Women”, thanë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se rrjeti po diskuton një paketë rekomandimesh për ndryshime në kodin zgjedhor në kuadër të Reformës Zgjedhore, për një përfaqësim më të lartë të grave.

“Me vendosjen e kuotës gjinore prej 50% në Kodin Zgjedhor, zgjedhjet vendore të 2015 sollën një rritje historike të përfaqësimit të grave në vendimmarrjen vendore. Sot, ato përfaqësojnë 35% të këshillave bashkiak dhe 15% janë kryetare bashkish. Nisma e parë për krijimin e një Aleance u ndërmor nga këshilltaret e bashkisë së Tiranës, të cilat përfaqësojnë më shumë se gjysmën e anëtarëve në këshillin bashkiak (51%). Të gjitha bashkitë që krijojnë Aleancat bëhen pjesë e këtij Rrjeti automatikisht”, – bëri të ditur UN Women për Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Por, çfarë përfaqësojnë këto aleanca të grave dhe cili është roli i tyre pranë këshillave bashkiake?

Sipas “UN Women”, këto aleanca përfaqësojnë mbi gjysmën e popullsisë së vendit, kanë një plan e nisma konkrete si mbështetjen e grave dhe vajzave në nevojë përmes trajnimeve profesionale dhe sipërmarrjes, apo ngritjen e një Komisioni për Barazi Gjinore në bashkitë përkatëse. Kështu, kjo organizatë ndërkombëtare, përmes kontributit financiar të qeverisë suedeze, ka dhënë mbështetje teknike në krijimin dhe forcimin e tetë aleancave, ndërsa aleancat e tjera janë krijuar me mbështetjen e donatorëve dhe partnerëve të tjerë lokalë. Një ndër rezultatet e punës së aleancave lidhet me krijimin e Komisionit të Barazisë Gjinore fillimisht në këshillin bashkiak të Tiranës, për herë të parë në historinë e tij, e më pas në atë Elbasanit.

Lista e qyteteve që kanë krijuar Aleancën e Grave Këshilltare në dy vjet: Tiranë, Vlorë, Shkodër, Durrës, Korçë, Berat, Elbasan, Lushnje, Fier, Gjirokastër, Himarë, Klos, Mat, Selenicë, Përrenjas, Devoll, Cërrik dhe Pogradec. Rrjeti Kombëtar i Aleancave të Këshilltareve u themelua në 8 mars të këtij viti dhe synon të koordinojë punën e përbashkët në mbështetje të barazisë gjinore dhe fuqizimit të grave në gjithë vendin. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.