Thaçi: Fatos Arapi, emër i madh në historinë e letërsisë shqipe

63

PRISHTINE, 11 tetor /ATSH/ – Humbje të madhe për kulturën dhe letërsinë shqipe, e ka quajtur Presidenti Hashim Thaçi, vdekjen e shkrimtarit Fatos Arapi.

“Fatos Arapi i përket atij brezi intelektualësh që e modernizuan letërsinë shqiptare në vitet gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar dhe u shqua edhe me shkrime teorike në fushën e kulturës. Fatos Arapi mbetet emër i madh në historinë e letërsisë shqipe”, ka shkruar Thaçi.

Në fund, ai u ka shprehur ngushëllime të sinqerta familjes Arapi dhe miqve të tij, anembanë hapësirës shqiptare.

Arapi është ndarë nga jeta sot, në moshën 88-vjeçare.

Ai lindi në vitin 1929 në Vlorë. Po atje ai kreu shkollën e mesme, ndërsa studimet e larta i ndoqi në Bullgari (Sofje) në fakultetin e Matematikës dhe të Ekonomisë. Ka punuar shumë vjet gazetar dhe pedagog në Fakultetin Histori-Filologji të Tiranës. Disa herë ka fituar çmime kombëtare e ndërkombëtare për poezi. Në vitin 2008 e fitoi “Kurorën e artë” në manifestimin poetik “Mbrëmjet e poezisë strugane” dhe është i pari poet shqiptar që e ka fituar këtë shpërblim. /KosovaPress/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.