STAMBOLL – Erdogan: Turqia nuk mund të heshtë për zhdukjen e gazetarit saudit

61

STAMBOLL, 11 tetor /ATSH-ANSA-AA/- Ne po hetojmë çështjen në të gjitha dimensionet e saj, është një aksident që ndodhi në vendin tonë, ne nuk mund të heshtim, sepse nuk është një incident i zakonshëm, theksoi presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan për rastin e gazetarit saudit Jamal Khashoggi, i cili u zhduk para nëntë ditësh ndërsa hynte në konsullatën e vendit të tij në Stamboll.

“Është e mundur që të mos ketë një sistem me kamera në një konsullatë apo ambasadë? Ata mund të gjejnë një zog ose një mushkonjë me sistemet e përparuara që ata kanë’’, shtoi Erdogan duke mbetur sidoqoftë i kujdesshëm për rastin.

“Nuk është e drejtë nxjerrim konkluzione bazuar në supozime, por ne jemi të shqetësuar dhe shohim se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë të njëjtat shqetësime me ne’’, shtoi ai.

Zhdukja e njërit prej gazetarëve më aktivë të Lindjes së Mesme, Khashoggi, i cili ishte kolumnist i gazetës ”Washington Post” dhe kontribues në gazetën ”Al Watan”, ende vazhdon të ngelet një mister.

Teksa zyrtarët sauditë nuk kanë dhënë ndonjë deklaratë të qartë në lidhje me fatin e gazetarit të humbur, shumë shtete, përfshirë Turqinë, SHBA-në dhe Britaninë e Madhe kanë kërkuar që rasti i tij të zbardhet sa më parë.

Sipas deklaratave të së fejuarës së tij, Hatice Cengiz, Khashoggi fillimisht kishte shkuar në Konsullatën Saudite më 28 shtator për dokumentacione në lidhje me martesën e tij. Atij i është thënë se dokumentet do të jenë gati pas një javë, me çka Khashoggi atë mbrëmje shkoi në Londër, për t’u rikthyer në Stamboll më 1 tetor.

Ai shkoi në konsullatë më 2 tetor së bashku me të fejuarën e tij, pasi me t’u kthyer në Stamboll kishte telefonuar zyrtarët përgjegjës, të cilët i kishin thënë të vinte pasi dokumentet ishin duke u përgatitur. Khashoggi kishte kërkuar nga Hatice Cengiz që nëse nuk dilte nga konsullata deri pas dy orësh, të lajmëronte autoritetet turke./ /os/ a.jor.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.