“Shell Upstream Albania”, mbështetje të rinjve për studime universitare

54

TIRANË, 11 tetor/ATSH/- Kompania “Shell Upstream Albania” organizoi sot në sallën e Galerisë së Arteve “Edward Lear” në Berat një aktivitet, ku u promovuan nxënësit fitues nga Programi i Bursave Shell 2018-2019.

Programi i Bursave Shell përqendrohet në zonën ku kjo kompani operon, duke mbështetur me bursa 5 studentë që dëshirojnë të studiojnë në profilet STEM dhe lëndët në lidhje me naftën dhe gazin.

Nëpërmjet kësaj burse studentët përfitojnë 4000 USD në vit, shumë e cila mbulon tarifat e studimit të tyre.

Merrnin pjesë në këtë aktivitet përfaqësuesi i “SHELL Upstream Albania”, Rohan D‘Souza, zëvendësministri i Energjisë, Enis Aliko, Prefekti i Qarkut të Beratit, Harilla Dafa, kryetari i bashkisë, Petrit Sinaj, kryetarja e bashkisë së Urës Vajgurore, Juljana Memaj, përfaqësues të institucioneve vendore, nxënës të shkollave etj.

Përfaqësuesi i Shell, Rohan D‘Souza, falënderoi pushtetin vendor për bashkëpunimin dhe theksoi se “kompania Shell do të investojë jo vetëm në infrastrukturën e zonave ku ajo operon, por edhe në shërbime sociale, sidomos te të rinjtë, në fushën e arsimit dhe të dijes”.

Kryetari i bashkisë, Petrit Sinaj, në fjalën e tij përshëndetëse falënderoi kompaninë “Shell” për mbështetjen e të rinjve në fushën e studimeve universitare, duke ofruar bursa bursa studimi për studentët e Beratit.

“Investimi më i madh është investimi në burime njerëzore, sepse, nëse nuk ke njerëzit e duhur për të menaxhuar si duhet burimet financiare, atëherë do të mungojnë rezultatet e pritshme. Shpresoj që studentët që mbështeten me bursa nga Kompania Shell të arrijnë rezultate maksimale dhe të kenë një karrierë të suksesshme, pikërisht këtu në qytetin e tyre”, u shpreh kryebashkiaku Sinaj.

Në fund të aktivitetit u ndanë certifikata për nxënësit fitues të bursave./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.