SHBA – Uashingtoni: Asnjë dollar për rindërtimin e Sirisë për sa kohë do të ketë iranianë

99

UASHINGTON, 11 tetor /ATSH-AFP/ – SHBA-ja po e lidh gjithnjë e më shumë strategjinë e saj në Siri me luftën kundër kundërshtarit kryesor, Iranit.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo njoftoi të mërkurën se asnjë dollar i vetëm amerikan nuk do të shkonte për rindërtimin e Sirisë për aq kohë sa do të kishte iranianë në vend.

Kreu i diplomacisë amerikane dukej sikur teorizonte për herë të parë politikën e re të Uashingtonit, e skicuar këto javët e fundit nga disa zyrtarë.

”Pas shtatë viteve të konfliktit, ne jemi shumë larg nga aspiratat e tërheqjes të shprehura në pranverë nga presidenti Donald Trump”, theksoi ai.

”Sot konflikti në Siri është në një pikë kthese”, tha Pompeo, në një fjalim në Institutin Hebre për Sigurinë Kombëtare të Amerikës.

”Regjimi i Bashar al-Asad forcoi kontrollin  në terren vetëm në sajë të Rusisë dhe Iranit, ndërsa grupi xhihadist i Shtetit Islamik (ISIS) është drejt humbjes së ushtrimit të kontrollit”, shtoi ai./ / v.b/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.