“Reforma në Arsimin e Lartë”, Nikolla: 80% e maturantëve zgjodhën universitetet publike

81

TIRANË, 11 tetor/ATSH/ – Dega e Mësuesisë është shndërruar në prioritet kombëtar për qeverinë. Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla e ftuar në studion e “ABCNews” deklaroi se mësuesia është shndërruar në degën e tretë të preferuar të studentëve. Ky është një superlajm, sipas ministres Nikolla, e arritur vetëm falë reformës në Arsimin e Lartë.

“80% e maturantëve kanë zgjedhur universitetet publike, 76% e të cilëve e kanë mesataren mbi 7. Sot janë më të shumtë edhe studentët që janë regjistruar në arsimin dyvjeçar profesional”, – tha ministrja Nikolla.

“Ky vit shkolla ka patur risi edhe në arsimin 9-vjeçar. Për herë të parë janë dhënë tekste falas për 190 mijë nxënës deri në klasën e katërt. Aktualisht Ministria e Arsimit ka nisur inspektimet për të parë se si po zbatohet kjo procedurë. Qëllimi është që t’i edukojmë fëmijët që të krijojnë një marrëdhënie të mirë me librin”, – u shpreh ministrja Nikolla.

/m.z/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.